Transferta e majme nga Meksika ‘joshi’ grabitësit e Fierit. Fierakët të tmerruar: Të kthehet dënimi me vdekje

466
0

FIER – Zbardhen detaje të reja nga grabitja e një dite më parë në qytetin e Fierit, ku pas shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vdekur një prej autorëve, Xhuliano Sollaku, 20-vjeç, nga Elbasani.

Grabitësit kanë qenë katër persona, ndërsa një prej tyre dyshohet se ka mbetur i plagosur. Duke përfituar nga errësira, tre prej autorëve mundën të arratisen dhe të humbin gjurmët. Ata tentuan të grabisin banesën e Minella Muçës, ndërsa dyshohet se për realizimin e këtij qëllimi janë ndihmuar nga një fierak i cili ka njohur mirë zonën.

Gjithçka ka ardhur pas informacioneve se djali i Muçës, i cili jeton në Meksikë, ka dërguar te familjarët një transfertë të majme parash. Kjo e dhënë ka rënë në veshët e grabitësve, të cilët kanë mësyrë banesën në orët e para të mëngjesit të ditës së premte.

Por kur tentuan të futen në banesë, familjarët i ndjenë dhe njoftuan menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin  e ngjarjes, por u ndesh në breshërinë e armëve automatike dhe pistoleta të autorëve. Bilanci është ai që dihet tashmë, një grabitës i vrarë – ndërsa në radhët e bluve nuk ka pasur të plagosur.

Banorët e Fierit të tronditur: Të rikthehet dënimi me vdekje

Janë kthyer në makth grabitjet në qytetin e Fierit. Për një periudhë të shkurtën në këtë qark janë regjistruar dhjetëra grabitje, por dy prej tyre kanë shkaktuar edhe viktima. Grabitja e fundit e ndodhur një ditë më parë në Fier ka tronditur qytetin. Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit, ku policia ka shkëmbyer zjarr me disa grabitës, duke lënë të vdekur njërin prej tyre.

Ndërkohë që edhe pak kohë më parë u regjistrua edhe një viktimë tjetër, ku grabitësit vodhën një pikë këmbimi valutor, ndërsa një qytetar i cili tentoi të ndalonte grabitësit i qëllua për vdekje nga ana e tyre. Por menjëherë pas ngjarjes u arrestuan grabitësit. Viktima Ilir Vrenozi u kthye në simbol të sakrificës për qytetarët fierak. Por sot banorët ndjejnë frikë, por edhe indinjatë, ata thonë se duhet të rikthehet ligji i dënimit me vdekje.

“Të frikësuar, jo vetëm për këtë, pse rasti i parë është ky. Edhe djali im po të ishte, po vajti t’i marr tjetrit pasurinë, le ta rrahin. Policia ka bërë shumë mirë, ata dy hajdutët e tjerë të varen. Të vijë tjetri natën të të grabisë, është shumë e rëndë, policia bëri shumë mirë. Pushkatim dhe sekuestrim pasurie”.

Banorët e Fierit për Report Tv

Nuk është vetëm Fieri ku ndodhin grabitjet, por ato tashmë janë bërë të zakonshme në të gjitha qarqet e vendit, madje mund të thuhet se grabitje tashmë janë kthyer në kronika të zakonshme.

d.co.shqiptarja.com/