Tanke e avionë, Greqia tregon fuqinë ushtarake, mesazh të fortë Turqisë

661
0

ATHINE – Greqia ka festuar përmes një parade ushtarake në Athinë 197 vjetorin e pavarësisë. Festime janë kryer në të gjithë vendin, por momenti kulmor ishte ai në kryeqytetin grek ku u mbajt parada më e madhe ushtarake e viteve të fundit, ku helenët demonstruan fuqinë e tyre ushtarake në një periudhë tensionesh të herëpashershme me Turqinë.

Përpara presidentit grek Prokopis Pavlopulos u ekspozua artileria e rëndë ushtarake si tanke në rrugë, helikopterë dhe avionë në ajër. Sivjet fjalimet e mbarë përfaqësuesve të shtetit grek kanë patur një simbolikë të veçantë, pas provokimeve dhe episodeve me fqinjët turq, duke dhënë një mesazh të hapur mbështetje për dy oficerët grekë që po hetohen në Turqi.

Në fjalën e tij Presidenti Pavlopulos theksoi: “Greqia është një popull i paqes, miqësisë dhe demokracisë, ideale që bazohen në respektimin e plotë të drejtësisë europiane dhe ndërkombëtare nga të gjitha palët. Jemi dhe popull që historikisht mbrojmë, pa ulje, lirinë, kufijtë, territorin dhe sovranitetin e Greqisë dhe të familjes sonë europiane”.

Ministri i Mbrojtjes Kamenos ka dërguar nje mesazh të fuqishëm bashkimi popullit grek për Turqinë, duke theksuar se ushtria greke është gati të përgjigjet në çdo sfidë kërcënimi të sovranitetit e integritetit territorial, për mbrojtjen e paqes në vend.


l.q.shqiptarja.com/