Tjetër rritje pagash në administratë, ja kategoritë që përfitojnë

460
0

Gjatë fjalimit të tij në konferencën e fundvitit kryeministri Edi Rama njoftoi për rritjet e pagave në administratën shtetërore.

Ai tha se pritet të përfitojnë ushtarakët, punonjësit e policisë, mjekët dhe të gjithë punonjësit e administratës, të cilët do të kenë një pagë mesatare në sektorin publik në 900 euro.

Gjatë fjalës së tij Rama zbuloi edhe për përqindjen e papunësisë këtë vit dhe synimet për t’i ulur më tej shifrat.

“Po ashtu ky vit ka pasur rënie të mëtejshme të papunësisë reale dhe sot jemi me një papunësi që është më e ulta e të gjitha viteve deri tani. 10.5% dhe synimi është që vitin e ardhshëm të fillojmë të zbresim hap pas hapi nën 10%. Investimet e huaja direkte kanë arritur një vlerë mbi 1 miliard euro ose afro 60 milionë euro mbi vitin e shkuar. Paga minimale këtë vit u rrit në vlerën e 40 mijë lekëve, që praktikisht përkon falë forcimit të monedhës vendase si asnjëherë më parë, me 400 euro.

Po ashtu kanë filluar të gjitha programet e mbështetjeve dhe të kompensimeve qoftë për efektet e rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo të punësuar me pagë minimale, qoftë edhe për pensionet që falë indeksimeve të një pas njëshme të bëra gjatë këtij viti, kanë arritur në vlerën rreth 9%.

Paga në sektorin publik ka vazhduar të rriten ndjeshëm e vitin e ardhshëm, në qershor ato do të kenë një tjetër rritje të konsiderueshme të parashikuar tanimë në buxhetin e vitit 2024 ku arsimtarët, ushtarakët, punonjësit e policisë, mjekët dhe të gjithë punonjësit e administratës do të kenë një rritje që do ta çojë faktikisht pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro.

Filloi programi i mbështetjes me kreditë e garantuara nga qeveria për punonjësit e policisë, ushtarakët dhe mjekët, për çiftet e reja, për familjet e reja, deri në moshën 40 vjeç dhe ky program është i mbështetur financiarisht për të arritur fillimisht një shifër prej 1000 shtëpish për këto 3 kategori që janë edhe shërbëtorë 24 orë në 7 ditë të javës të shtetit e të qytetarëve të republikës së Shqipërisë”, deklaroi Rama.