Organizimi i Giro d’Italia në Shqipëri është shndërruar në një kaos të vërtetë për banorët e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës. Qytetet janë futur në një kolaps të plotë, me rrugë të mbyllura jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët, të cilët janë gjendur të izoluar në rrugë gjatë kthimit nga puna.
Pavarësisht pranisë së madhe të forcave të Policisë, organizimi ka dështuar në menaxhimin e fluksit të qytetarëve dhe garantimin e një kalimi të sigurt. Më herët, qytetarët janë detyruar të kalojnë poshtë urës së Lanës për të gjetur një rrugë alternative, një skenë që flet vetë për nivelin e papërgatitjes.
Por tensioni nuk ka mbetur vetëm në kufijtë e pakënaqësisë. Në një nga segmentet e bllokuara të rrugës, disa qytetarë kanë thyer kordonin e Policisë dhe kanë kaluar rrugën mes për mes, në mënyrë të pasigurt. Si pasojë, një qytetar është përplasur me një prej çiklistëve garues. Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe është detyruar të ndërpresë përkohësisht garën.