Thashë të bëj një status për Vlorën e bukur, pastaj kalova te Lungomare dhe u bëra pishman

2652
0

Nga Beti Njuma

Thashë të bëhem pozitiviste e ta qëndis një status për Vlorën e bukur. Pastaj kalova te Lungomare dhe u bëra pishman. Lokalet përgjatë rrugës, në një garë të çmendur me volumin e tallavasë të çojnë në depresion.

Ndotja akustike është e padurueshme dhe shndërrohet në një beteje cingërritëse notash që përplaset nga kafeneja në kafene. Nuk pi dot diçka e nuk shkëmben dot dy fjalë pushuesi i gjorë se zhurma të buçet nga të katër anët sipas oreksit të pronarëve që kujtojnë se sa më lart ta ngresh (volumin) aq më shumë klientë mbledh. Krejt e kundërta o biznesmenë që shëtitët botën e prapë nuk mësuat asgjë!

Pastaj m’u kujtua fundjava në Pargën e mrekullueshme, një copëz e Shqipërisë së dikurshme dhe thashë kot që harxhoj frymë. Parga është veç një fshat, nuk është betonizuar vend e pa vend, nuk ka ndërtime kaotike, e as janë hedhur miliona euro.

Aty janë ruajtur shtëpitë e vjetra karakteristike që i japin identitet zonës. Nuk ka asnjë zhurmë shqetësuese përveç zhaurimës së detit dhe një muzike të lehtë në sfond. Plazhet e Pargës nuk kanë ndotje nga ujërat e zeza, asnjë mbeturinë në rrugë, madje habitesh sesi as koshat e mbeturinave nuk vijnë asnjë aromë të pakëndshme.

Për “dreq” as miza e mushkonja! Parga nuk ka struktura gjigante apo resorte oligarkësh sepse turizmi bazohet tek hotelet e vogla, apartamentet apo shtëpitë pritëse të vendasve që gjithsesi përballojnë një fluks të madh turistik. Hotelet atje nuk ofrojnë luksin e disa simotrave të Jugut shqiptar por janë të pastra, të thjeshta, të mobiluara bukur e ngrohtë me ngjyra deti.

Parga ka rrugicat e bukura tregtare, me restorante e bare fantastike, me dhjetra dyqane me prodhime artizanale e produkte të zonës që të kënaqin sytë e të bëjnë të harxhosh para me pahir. Janë prodhime vendase të ekspozuara me shije jo kinezërira si ato që shiten në tezgat tona buzë detit me tryeza plastike.

Në Parga nuk vriten njerëz për shezlonë dhe as të zbon njeri nga plazhi. Edhe nëse nuk merr çadrën që kushton 7, 10 e deri 15 euro ka shumë hapësira bosh sepse atje nuk ka të fortë dhe pareli që zaptojnë gjithçka. Aty është i pari, ligji dhe klienti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.