Pasi kanë zbuluar dallimin mes nevojave të ekonomisë dhe studimeve universitare, të rinjtë amerikanë kanë filluar t’i kthejnë shpinën universitetit dhe t’u drejtohen profesioneve që tradicionalisht konsiderohen inferiore përsa i përket prestigjit shoqëror, të cilat megjithatë kanë më shumë perspektivë profesionale. Bëhen hidraulikë, elektricistë, teknikë frigoriferi apo operatorë saldimi.
Në përgjithësi, ata ndjekin formimin e tyre profesional në specialitete të tilla që janë më të kërkuara se profesionet që kërkojnë arsim universitar. Rolin ka luajtur edhe inteligjenca artificiale, e cila tashmë dihet se kërcënon një sërë vendesh pune në zyrë, me rezultat që shumë të rinj të ndihen më të sigurt profesionalisht si teknikë të specialiteteve të ndryshme.
Këta të rinj po zëvendësojnë brezin e vjetër të elektricistëve, hidraulikëve dhe saldatorëve të cilët kanë nisur të dalin në pension, duke lënë mangësi në tregun e punës për punëtorët e këtyre degëve profesionale. Numri i të rinjve që ndjekin shkollat teknike u rrit me 16% gjatë vitit të kaluar dhe ishte më i larti që nga viti 2018.
Paga mesatare për specialitete të ndryshme në industrinë e ndërtimit u rrit vitin e kaluar me 5.1%, duke arritur në 48.089 dollarë në vit. Në të njëjtën periudhë, rritja e pagave në sektorin e shërbimeve, përfshirë kontabilistët dhe punonjësit e IT, ishte vetëm 2.7% krahasuar me vitin 2022 dhe arriti në 39.520 dollarë në vit.
Viti 2023 shënoi të katërtin vit radhazi që paga mesatare vjetore e profesioneve të ndryshme teknike në sektorin e ndërtimit tejkaloi ndjeshëm fitimet e të punësuarve të rinj në sektorët e shërbimeve dhe IT.
Përveç kësaj, ka pasur një rritje dramatike të kërkesës për programe të subvencionuara të formimit profesional, në të cilat studentët e shkollave teknike fitojnë përvojë praktike, shpesh të paguara nga punëdhënësi. Sondazhi i kryer vitin e kaluar mes nxënësve të shkollave të mesme nga kompania e softuerit Jobber tregoi se 75% e të anketuarve janë të interesuar për shkollat teknike profesionale dhe veçanërisht ato që ofrojnë pagesë gjatë periudhës së praktikës.
Duhet theksuar se 8 nga 10 të anketuar kanë deklaruar se prindërit e tyre dëshironin që fëmijët e tyre të studionin në universitet dhe në shumë raste e kishin shumë të vështirë të pranonin zgjedhjen e tyre. Sidomos ata që kishin marrë arsim universitar dhe kishin punuar në profesione prestigjioze. Vetë të rinjtë që kanë zgjedhur t’u drejtohen profesioneve teknike janë megjithatë optimistë.
Dorina Kurtaj /SCAN