Një grup i organizuar shqiptarësh ka plaçkitur pluhur qumështi nëpër barnatoret në Lauenburg të Gjermanisë, për ta shitur në tregun kinez.
Sukses spektakolar i hetimeve të cilat kanë çuar deri në Kinë: Daniel Stephan nga stacioni policor në Schwarzenbek dhe kolegët e tij në Hamburg e Bremen, falë hetimeve të përbashkëta, kanë zbuluar një grup të rrezikshëm e të organizuar profesionalisht.
Ata kanë arrestuar gjashtë shqiptarë, të cilët kanë qenë të specializuar për të plaçkitur artikuj ushqimorë për foshnje të llojit “Aptamil”, shkruan “Schleswiger Nachrichten”. Vetëm në rrethinën e Lauenburgut, shqiptarët e moshës prej 19-26 vjeçare, në 12 raste kanë plaçkitur së paku 225 pako, në një vlerë prej më tepër se 4.500 euro.
“Malli i plaçkitur më pas i është dorëzuar një trafikanti në Hamburg, i cili e ka transportuar në Kinë”, shpjegon Stephan.
Përmes video materialit, policia ka mundur të identifikojë qartë plaçkitësit. Plaçkitja ishte vërejtur kur nënat kanë kërkuar këtë lloj produkti për foshnjet e veta, pasi ai ka munguar.
“Aptamil” dhe artikuj të tjerë ushqimorë për foshnja, në Kinë llogariten si `ar i bardhë`, që nga koha që atje plasi skandali me pluhurin e qumështit, i cili kinezët i bëri të pasigurt”, ka përfunduar Stephan. Hetimet e mëtejshme janë në rrjedhë e sipër.