Nga 1 janari 2026, në të gjithë bashkitë e Shqipërisë hyn në fuqi metodologjia e re për llogaritjen e taksës së ndërtese, bashkë me çmimet e reja të referencës. Sipas ekspertëve dhe përfaqësuesve të ndërtuesve, taksa e re prek drejtpërdrejt çdo pronar apartamenti apo prone të paluajtshme—baza më e gjerë e taksimit të aplikuar ndonjëherë në vend.
Avantazhi kryesor është se taksa do të llogaritet mbi vlerën reale të pronës, do rriten të ardhurat lokale dhe tregu formalizohet—duke stimuluar deklarimin dhe përdorimin e pronave, sidomos atyre që sot mbeten bosh. Për familjet me një apartament, taksa parashikohet të jetë simbolike. Megjithatë, për ata që disponojnë më shumë se një pronë, taksa do të jetë progresive dhe më e lartë, duke rënduar buxhetin familjar dhe duke nxitur pronarët të japin pronat me qira ose t’i shesin.
Problemet e projektvendimit lidhen me rritjen e barrës fiskale për familjet, efektet në qiratë dhe transaksionet e pasurive të paluajtshme, si dhe vështirësitë e bashkive për të identifikuar dhe menaxhuar pronat, sidomos ato ende pa certifikatë pronësie. Çmimet e reja të referencës priten ta shtojnë koston e ndërtimit dhe ta transferojnë atë te blerësi, ndërsa për apartamentet e vjetra mund të ketë një barrë disproporcionale për familjet në nevojë.
Shoqata e Ndërtuesve ka propozuar që apartamenti i parë dhe kategoritë në nevojë të taksohen simbolikisht ose fare, ndërsa për pronat e dyta dhe të tretat të zbatohet koeficient progresiv, por identifikimi dhe diferencimi i pronave mbetet një sfidë për strukturat lokale dhe qendrore. Gjithashtu, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet mund të sjellin rritje të çmimeve, rënie të kërkesës dhe lëkundje në tregun e pasurive të paluajtshme përgjatë vitit të ardhshëm.
Kjo reformë e taksimit të pronës pritet të prekin xhepin e çdo qytetari, me ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e banesave dhe në buxhetin e familjes. Bashkitë, nga ana tjetër, shohin një rritje të të ardhurave, ndërsa qytetarët duhet të përgatiten për ndryshimet e reja që sjell ky ligj.