Le të njihemi me kushtet e motit fillimisht për 24 orët në vijim sipas parashikimit nga Tanja Porja.
Territori shqiptar do të përfshihet sërish nga rrebeshe të përkohshme shiu, kryesisht në zonat veriore dhe lindore, ku reshjet priten pas mesditës dhe do të jenë afatshkurtra. Kjo situatë sjell një rënie të temperaturave me rreth 3°C në mesditë. Era do të fryjë me intensitet mesatar nga drejtimi verior percjell shqiptari.net.
Sonte dhe gjatë paraditës së nesërme, do të kemi kthjellime dhe vranësira të shpeshta, ndërsa reshjet e para nisin që në orët e para të mëngjesit në veriun ekstrem dhe më pas shtrihen drejt qendrës. Jugperëndimi dhe skaji jugor do të mbeten jashtë reshjeve.
Temperaturat e mëngjesit nuk do të pësojnë ndryshime të ndjeshme, duke luhatur nga 8 deri në 15°C, me vlera më të ulëta në zonat malore dhe më të larta në bregdet. Në mesditë, pritet fuqizim i vranësirave dhe intensifikim i reshjeve, kryesisht në veri dhe lindje, ndërsa në qendër dhe jug reshjet do të jenë të rralla. Pasditja sjell përmirësim të motit në pjesën perëndimore.
Të premten, reshjet largohen gradualisht edhe nga juglindja, duke i lënë vendin kthjellimeve dhe vranësirave kalimtare. Mëngjesi do të jetë i freskët, ndërsa mesdita shënon rritje temperaturash me 3°C, duke rikthyer maksimumin në 28°C.
Nga dita e shtunë deri në fillim të javës tjetër, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me rritje graduale të temperaturave, që do të kapërcejnë 30°C të hënën dhe të martën.