Ndërsa negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës nuk po bëjnë përparim, në të vërtetë pozicionet duken gjithnjë e më të ngurta dhe konfrontimi i armatosur vazhdon, duke vrarë civilë dhe ushtarë nga të dyja palët.
Pavarësisht raporteve të përhapura për problemet që ushtria e Vladimir Putin po përjeton në Ukrainë, ushtarët rusë po marrin indikacione nga eprorët e tyre se lufta duhet të përfundojë deri më 9 maj, sikurse raporton Sky News. 9 maji është data në të cilën Rusia feston ‘Ditën e Fitores’ në kujtim të kapitullimit të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Qëllimi i parë për forcat ruse në Ukrainë është kontrolli i të gjithë rajonit të Donbasit në lindje të vendit, tha ministria e mbrojtjes e Moskës e cituar nga TASS. Ndërkohë, sipas “Guardian”, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës pretendon se forcat ruse kanë krijuar një korridor të pjesshëm tokësor drejt Krimesë nga territori i rajonit të Donetskut.