Skandal me fluturimet e Wizz Air, 4 nga 5 udhëtimet e mbrëmjes në Rinas janë mbi dy orë vonesë..

2465
0

Nuk ka fund skandali me vonesat e udhëtimeve të Wizz Air. Nga kjo foto dallohet qartë se vetëm mbrëmjen e së premtes nga 5 udhëtimet e planifikuara kompania ka vonuar 4 prej tyre me më shumë se dy orë. Qindra udhëtarë kanë mbetur me orë të tëra në aeroportin e Tiranës.

Pavarësisht vonesave të herëpashershme, ndaj kompanisë Wizz Air nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet vendase por qoftë edhe ato të mbërritjes. Udhëtarët shprehen gjithnjë të shqetësuar me shërbimet e kompanisë low cost, të cilat i cilësojnë shpesh skandaloze.

Në Aeroportin e Tiranës përgjatë vitit 2023 janë vonuar për më shumë se 3 orë 281 fluturime dhe 60% e vonesave janë të një kompanie të vetme Wizz Air Europë. Në 161 fluturime Wizz Air, me një diferencë shumë të madhe me të tjerat, ka lënë mijëra qytetarë vitin e kaluar të presin me orë të tëra për të marrë avionin, për të udhëtuar drejt destinacionit për ku kishin prerë biletën.Wizz air kishte probabilitetin më të keq të mundshëm, me koeficientin 26.8 fluturime me vonesa mbi 3 orë në 1000 të tilla.

Jo më larg se në muajin mars Report Tv raportoi se vitin e kaluar me mijëra qytetarë janë zvarritur në aeroportin e Rinasit në pritje të fluturimit që ju është shtyrë në momentin e fundit ose në rastin më të keq ju është anuluar nga Wizz Air.  Nga shifrat e siguruara rezultonte se nga 281 fluturime me mbi 3 orë vonesë, rekordin negativ e mban kompania Wizz Air.

E njëjta situatë rezulton edhe me shifrat e anulimeve të fluturimeve. Më shumë se 30% udhëtimeve të anuluara nga Rinasi i takonin Wizz Air. Kompania rezulton me shërbimin më të keq teksa ka lënë pa udhëtim qytetarët në 34 fluturime me një koeficient prej 5.7 udhëtime të dështuara në 1000 të tilla.