Një tjetër rast i dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve në institucionet parashkollore është zbuluar gjatë ditës së sotme.
Sipas Policisë, një edukatore në një kopsht publik në Elbasan dyshohet se ka keqtrajtuar një 5-vjeçar që vuante nga autizmi.
57-vjeçarja është proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kujtojmë se ky rast vjen pasi pak ditë më parë në një kopsht privat në Tiranë, një tjetër edukatore dyshohet se dhunoi një 3-vjeçare, e cila përfundoi me këmbë të thyer.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen O. B., 57 vjeçe, banuese në Elbasan, me profesion edukatore në një kopësht publik, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një 5-vjeçar që vuan nga Autizmi. Shërbimet e Policisë po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për të zbardhur rrethanat e rastit.