‘S’ka shpopullim të Kukësit’, Gjici: Kukësi ka njerez plot, qindra kuksianë po kthehen për të investuar

138
0

Safet Gjici, kryebashkiaku i Kukësit tha se largimet nga Kukësi kanë qenë prej vitesh sidomos në Angli, pasi Shqipëria është vend i lirë dhe çdo njëri kërkon më të mirën.

Në një intervistë për Euronews Albania ai mohoi se Kukësi po shpopullohet, ndërsa theksoi se qindra kuksianë janë rikthyer në Shqipëri ku kanë investuar duke hapur bizneset e tyre.

“Nuk ka shpopullim të Kukësit, ky është term që përdorin ata që nuk kanë bërë asgjë prej 30 vitesh, është një term antishqiptar. Nuk mund të flasësh për shpopullim. Po të vish në Kukës ka shumë  njerëz që punojnë. Natyrisht, gjendja nuk është aty ku duhet, duhet edhe shumë punë për t’u bërë”, tha Gjici.

Ai theksoi se aktualisht bashkia Kukës ka fituar një projekt britanik prej 8 mln paundësh që i kushtohet tërësisht të rinjve. Sipas Gjicit, rreth 300-400 të rinj pritet të punësohen nga ky projekt që nis implementimin në tetor.