S’ka mbyllje të dytë, qeveria paguan paradhënie 1,5 miliardë lekë per vaksina

396
0

Buxheti i vitit 2021, i sapo votuar në parlament, pothuajse në çdo zë i influencuar nga dy episode fatkeqe për Shqipërinë, tërmeti dhe pandemia. Nga shifra e shtuar në buxhet prej 5,2 miliardësh, zërat prioritarë janë 1,2 miliardët e rimburisimit të ilaçeve Covid dhe 2,5 miliardë për pagesën e papunësisë e ndihmën ekonomike.

Për të folur për buxhetin foli, në A2, Anastas Angjeli, deputet i PS, ish-ministër i Financave. “Unë besoj që në këtë situatë na duhet një frymë optimiste. 1,2 miliardë lekë u shtuan për rimbursimin e ilaçeve për Covid. Unë besoj se kjo është një shumë e konsiderueshme, e cila i plotëson nevojat. Nëse situata do të ndryshojë, do t’i drejtohemi ligjvënësve për ta rritur këtë shumë. Besoj se është një nismë e duhur dhe e nevojshme”.

Angjeli theksoi qeveria mund të përdorë borxhin për zhvillim të ekonomisë dhe nga ana tjetër për të përballuar efektet e krizës së pandemisë. “Duke parë ecurinë e pandemisë, parashikojmë të mos ketë një mbyllje të dytë. Do të ishte fatale një mbyllje e dytë, ndërsa në këtë situatë parashikohet një rritje e ekonomisë. Ne kemi ulur taksat dhe kemi zhvendosur në kohë pagimin e tyre. Nëse ka risk, ne do t’i drejtohemi sigurimit të likuiditetit nëpërmjet fenomenit të borxhit, natyrisht pa i kaluar përmasat dhe e ekzagjeruar atë. BE, për herë të parë pas 50 vjetësh, prishi kriteret e konvergjencës për borxhin dhe deficitin, nuk lejonte borxh mbi 60%, ndërsa në këtë krizë po arrin në 100%. Edhe ne do ta përdorim këtë instrument, me dobi nga njëra anë të zhvillimit të ekonomisë dhe nga ana tjetër për të përballuar efektet e krizës së pandemisë”.

Më tej, Angjeli konfirmoi paradhënien që ka bërë Shqipëria për vaksinën, duke zbuluar shumen 1,5 miliardë lekë e barabartë me sigurimin e 1,4 milionë vaksinave. “Ka dy ekspertiza, një është e Task Forcës për pandeminë dhe një tjetër është eksperienca e vendeve të tjera dhe ekspertiza brenda vendit, e cila nuk rekomandon një mbyllje të dytë. Kufizime të pjesshme do të ketë, por mbyllje të dytë që të krijojë një kolaps ekonomik nuk mendohet se do të ketë dhe aq më tepër edhe kushtet po e tregojnë atë. Investimi në shëndetësi, si dhe prodhimi i vaksinave, të cilat do të fillojnë në fund të vitit të shpërndahen. Shqipëria ka paguar paradhënie dje, në afatin e fundit, shumën prej 1,5 miliardë lekësh e barabartë me sigurimin e 1,4 milionë vaksinave”.