“S’jam këtu për thashetheme”, ja si u pergjigj Rama per skandalin me tenderin e uniformave

422
0

Në kohën kur zhurma e madhe lidhej me përjashtimin e Fatos Tushes nga PS-ja, vjen lëvizja e radhës nga SPAK lidhur me arrestimin e 9 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme. 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë publikë, mes tyre edhe të Ministrisë së Brendshme janë vënë në pranga pas një operacioni anti-korrupsion të kryer nga SPAK-u.

Më konkretisht, bëhet fjalë për 8 urdhra për “arrest me burg” dhe 1 për “arrest shtëpie”, për shkelje të barazisë në tendera. Operacioni është kryer gjatë natës, me qëllim që të mos dekonspirohej. Por kjo çështje është prekur kohë më parë, e ndërsa Rama jo vetëm e ka shmangur këtë përballje por edhe është larguar nga emisioni i gazetarit Ilir Babaramo.

Kur është pyetur se si kishte mundësi që zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kishin realizuar një tender ku vetëm një kapele polici kushton 350 euro, kryeministri ka shpërthyer ndaj gazetarit.

Tejet i revoltuar, Rama i është drejtuar gazetarit duke i thënë se ai nuk shet kapele dhe se nuk ka asnjë punë që e lidh me këtë tender, akuzat për të cilin i quajti “thashetheme dynjaje”. Por këto “thashetheme” sot janë provuar si të të vërteta, së paku nga SPAK-u.

Edi Rama: Të lutem shumë se unë s’kam ardhur këtu për kapelen e policëve

Ilir Babaramo: Po flasim për fonde publike, për 24 milionë euro

Edi Rama: Do të them mirupafshim të dashur teleshikues, ta bëj unë rolin tënd dhe të largohem

Ilir Babaramo: Ok, vazhdojmë më tej.

Edi Rama: Jo i dashur, s’kemi si vazhdojmë ne më tej, unë jam kryeministër i Shqipërisë, s’jam këtu për muhabet dhe thashetheme. Të lutem shumë, s’kam ardhur të komentoj thashethemet e dynjasë, më bëj pyetje të të jap përgjigje.

Ilir Babaramo: Pse s’janë pyetje këto?

Edi Rama: Po ça pyetje është kjo, kapelja e policit kushton kaq, ça lidhje kam unë, ku hyj unë këtu mor zotëri? Unë jam kryeministër i Shqipërisë, të dielën shqiptarët do të votojnë…Di gjë ti se unë bëj kapele policësh, di gjë ti se unë mbaj kapele policësh? Ku hyj unë këtu? Po flet me shitësin e kapelerisë? Apo po flet me prodhuesin e kapeleve? Se kjo që po bëjmë ne falë teje, kjo është skena e një teatri absurd ku bëhet parodi për gazetarin që merr në intervistë kryeministrin.

Ilir Babaramo: Nejse, e tejkalojmë këtë, ka një shembull. Por ju si piktor psh, a ndiheni mirë për logon e Operas. VIDEO