Situata e jashtëzakonshme/ Ministrja Balluku ben njoftimin e rendesishem per energjine elektrike

90
0

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri thirrje publike që energjia elektrike të mos shpërdorohet në këto ditë të ftohta që po kalon vendi.

Ajo theksoi se është siguruar energji elektrike për të gjithë territorin edhe pse ndodhemi në një situatë të jashtëzakonshme. Për shkak të temperaturave minus dhe dëborës parashikohen edhe avari në disa zona.

Ministrja këshilloi që të shmangen zonat malore, edhe pse në këtë sezon ato janë më të preferuarat për fëmijët.

Gjithashtu në këtë sfidë me natyrën, do të mbrohen të gjithë konsumatorët qofshin familjarë, biznes i vogël apo i mesëm.

 “Do të kemi temperatura të ulëta rekord që do të krijojnë probleme. më duhet t’ju jap një informacion të detajuar për sa i përket kushteve. Kemi marrë masa në të gjithë Shqipërinë. OSHEE dhe KESH janë në gatishmëri, jemi duke punuar në fuqi të plotë. Jemi aktualisht me 14 mijë megawat orë kërkesë ditore dhe pritet që kjo shifër të shkojë 24 mijë megawat orë kërkesë ditore. 80% më shumë, do të bëjë që të kemi presion të madh, por do të furnizohet i gjithë territori. Për shkak të temperaturave minus dhe dëborës mund të kemi edhe avari, por do të mundohemi të jemi në gatishmëri në të gjithë vendin. Për shkak të konsumit të madh do të kërkoj që të jemi të kujdesshëm të mos e shpërdorojmë energjinë, situatë e jashtëzakonshme. Do të mbrojë të gjithë konsumatorët qofshin familjarë, biznes i vogël apo i mesëm. Do t’ia dalim në këtë sfidë me motin”, tha Balluku.

Sipas meteorologëve, vendi ynë do përfshihet nga mot siberian në ditët në vijim, ku pritet që temperaturat të shkojnë deri -17 gradë Celsius.

Reshjet e dëborës që kanë nisur mëngjesin e kësaj të premteje  në zonat malore, ndërsa trashësia në Peshkpi shkoi deri në 40 cm. Kalimi në aksin Peshkopi-Kala, i Peshkopi-Draj Reç-Kukës, e Dodës-Kukës duhet të bëhet me zinxhirë.

Edhe në Bulqizë termometri ka shënuar -7 gradë Celsius dhe dëbora ka sjellë problem në rrugët kryesisht rurale.

Në shumë shkolla mungojnë nxënësit për shkak të reshjeve të dëborës që vijojnë me intensitet të lartë. disa fshatra  janë pa energji elektrike,si pasoje e dëmtimit te linjave të transmetimit te ulet dhe ate te mesëm.

Dëborë ka në të gjithë gjithë territorin e Qarkut Kukës ku lartësia në Shishtavec deri në mesditë ishte 40 cm, në Valbonë 15 cm dhe në Qafë Prushi Has 10 cm.

Reshje nisen edhe në Stëblevë të Librazhdit dhe për qarkullimin pasdite kërkohen zinxhirë në akset e këtij qarku.

Jo vetëm verilindja por dhe juglindja u përfshi nga dëbora pas mesdite me reshje të dendura në qytetin e Pogradecit si dhe në Korçë brenda në qytet si dhe në Qafë Thanë e Qafë Plloçë.

Kujtojmë se Ministrja e Arsimit, Evis Kushi njoftoi se nga dita e hënë deri të mërkurën do të mbyllen shkollat në vend për shkak të temperaturave ekstreme të ftohtit. Sipas saj orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.