Shtrëngata dhe përmbytje, IGJEUM ngre alarmin dhe tregon zonat që rrezikojnë

644
0

Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave kanë ngritur alarmin se gjatë ditës së sotme priten reshje të dendura shiu dhe shtrëngata. Sipas informacionit të shpërndarë nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në Facebook, zonat më të rrezikuara janë qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë. Në këto qarqe, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Ndërsa në zonat urbane, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Ministri i Mbrojtjes u bën thirrje bashkive të marrin sa më parë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence, ndaj ju bëjmë thirrje të gjitha bashkive të marrin sa më parë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Do të jemi në vëzhgim për të gjitha situatat që mund të ndodhin, duke garantuar sigurinë e qytetarëve tanë”, shprehet Peleshi.