“S’kam lekë ta sjellë trupin” Me lot në sy, babai i 23 vjecarit kërkon ndihmë: Shqiptarët të më ndihmojnë sa të munden

12573
0

23 vjeçari Klajdi Bitri i cili u vra në Itali është nga qyteti i Lushnjes. Gazetarja e Klan News Anila Sefa ka siguruar dëshminë e babait të Klajdit.

Agim Bitri bën thirrje për t’i ndihmuar në sjelljen e trupit të të birit në Shqipëri sepse ata nuk kanë mundësi financiare për ta tërhequr në vendlndje. Sot Agimi ka aplikuar për nxjerrjen e pasaportës, por i duhet edhe ndihma financiare.

Mamaja e 23 vjeçarit, znj.Monika Bitri, nuk e di që djali i saj ka ndërruar jetë, por më të vështirë gjendjen e ka edhe vëllai tjetër 18 vjeçar në duart e të cilit humbi jetën vëllai i madh.

 “Mua më ka ndodhur një fatkeqësi shumë e madhe, që mos e pësoftë…nuk ja uroj askujt, as hasmit atë që më ka ndodhur. Djalit tim i ndodhi një fatkeqësi shumë e madhe që vajti diku për t’i ndarë dy vetë që po ziheshin dhe ndërhyri për ndarje, humanizëm, t’i  ndante dhe ma qëlluan…Se me ça e qëlluan as vetë se di, ma vranë atje, pa ndonjë faj. Gjithë autoritetet atje e thanë që është i pafajshëm, nuk ka asnjë lloj faji se unë fëmijët i kam rritur me edukatë, ka 6 vjet që punon në Itali, punonte me djersën e ballit.

Jemi njerëz të thjeshtë, jam qytetar i Lushnjes, kam kontribuar për Lushnjen, kam punuar me djersën time, me forcat e mia dhe kërkoj drejtësi, nuk e di a ekziston. Dua drejtësi për fëmijën tim, për çfarë arsye i ka ndodhur kjo se ai ishte në lule të rinisë, 23 vjeç e nuk e shijoi dot një jetë, që të krijonte familje, të krijonte diçka. Unë jam prind edhe më mirë të më kishte ndodhur mua se i kam shijuar të gjitha, kurse fëmija im nuk ka shijuar as edhe diçka më të vogël.

Nuk e di…kërkoj ndihmë! Kërkoj, trupi të vijë sa më shpejt. Gruaja akoma nuk e di, po e mbajmë nëpër spitale, po e mbajmë me gajret, nuk e di që fëmija ka vdekur. Kam dalë jashtë që mos të flas brenda dhe po bëjmë dy ditë që qajmë mbyturazi, pa e kuptuar gruaja dhe më thotë: Më çoni në Itali që të ngre çunin në këmbë thotë se unë i kam thënë se është në gjendje të rëndë. Unë jam nënë thotë, pse më mban në krevat. Jam në dilemë, nuk mundem më dot, në shtëpi nuk qaj dot…

Shqiptarët të më ndihmojnë sa të munden, fëmija im të vijë, kërkoj drejtësi dhe dëmshpërblimin e djalit tim. Kush më kthen mua djalin, se nuk i ka faj askujt, ai është një engjëll, ta shikojë kush të dojë fotografinë e tij, është një engjëll…I kërkoj ndihmë shtetit, kush mundet, se unë jam baba…Tani që po flas po dridhem, dua ndihmë të shtetit, dua sa më shpejt, i kërkoj kryeministrit, kush të mundet, s’flas më tepër…

Unë jam me punë ditore, thjesht ushqehemi. Gruaja herë punon, kur gjejmë punë…Nuk është se bëjmë ndonjë jetë, por nuk po i qahem asaj, jetë normale. Do punojmë, do hamë bukë. Bukë  e kripë të ha, vetëm të më vijë djali, të më marrë djali atë që i takon, drejtësia të shkojë në vendin e vet. E ka vëllain e tij atje, është 18 vjeç, e ka parë skenën live. Ta shohin nëpër video e kamera, kur më mori në telefon më tha: Ma morën vëllain tha, në duart e mia…

Ai po përballet nëpër komisariate të Italisë, nëpër funerale, është i vetëm. Unë s’kam mundësi që të iki, s’kam as pasaportën, nuk kam! I kërkova ministrit Taulant Balla, m’u përgjigj me respekt, më tha do mundohem personalisht. Kërkesa ime thjesht për një pasaportë, unë s’kam lekë që të iki me avionë, me makinë duhen 3 ditë të iki. Nuk mund të flas dot më, thjesht kërkoj ndihmë. Jam për të vrarë veten tashi, jetoj veç për gruan dhe atë engjëll 18 vjeç që kam atje se kur më merr në telefon më thotë: Mos u mërzit o ba se jam unë këtu!”

23 vjeçari u vra nga një shtetas algjerian me shtizën e peshkimit në gjoks në përpjekje për të shuajtur një sherr mes vrasësit dhe mikut të tij italian.

Nderkohe vellai i tij ka ngritur nje fushate per te grumbulluar fondet e mjaftueshme ne GOFUNDME