Qeveria e Kosoves ka vendosur të mbyllë kufirin me Shqipërinë, duke nisur nga data 30 korrik 2020, përmes kushtëzimit të lëvizjes me disa kritere të sikletshme.
Mësohet se nga data 30 korrik të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët vijnë nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia duhet të vetëkarantinohen apo izolohen për 7 ditë në shtëpitë e tyre.
“Prej datës 30/07/2020 të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që vijnë me risk të lartë të infeksionit (Republika e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë) obligohen të vetëizolohen për 7 ditë në shtëpitë e tyre” është ky vendimi që ka hartuar qeveria.
Ndërkaq, qytetarët e Kosovës të cilët kanë leje qëndrimi apo leje të përkohshme qëndrimi jashtë Kosovës dhe që dalin nga territori i Kosovës, në rast se nuk kthehen sërish në Kosovë për 48 orë atëherë duhet të kenë bërë tampon për COVID-19 ose do të vetëkarantinohen edhe ata 7 ditë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha: “Ata që kthehen pas datës 30 korrik do të detyrohen të shkojnë në vetizolim. Personat që shkojnë dhe nuk kthehen pas 48 orësh, edhe ata do detyrohen të shkojnë në vetizolim në mënyrë që të mos sjellin rrezikshmëri. Është vlerësim i të gjithë rajonit, dhe kështu do të funksionojmë derisa të ketë përmirësim të situatës”.
Nuk është e qartë se çfarë masash do të përfshijnë qytetarët e Shqipërisë, nëse edhe ata do ti nënshtrohen këtyre kushteve të reja. Noa.al do të informojë në vijimësi.
Vendimi i qeverisë së Kosovës pritet të publikohet në orët në vazhdim. Është e qartë se shumë pushues që kishin planifikuar të qëndronin në Shqipëri deri më 31 korrik apo dhe më vonë, do të tentojnë të kthehen para 30 korrikut.
Nga ana tjetër, këto masa të reja pritet të ndërpresin vrullin e këtyre ditëve të pushuesve nga Kosova, duke lënë me gisht në gojë strukturat turistike për gushtin, i njohur si muaji kryesor i pushimeve verore. /noa.al/
Duket se Kosova do të marrë masa pas ditëve të fundit tragjike si për viktimat por edhe për shtimin e rasteve me COVID-19 dhe kjo do të prekë edhe Shqipërinë që këtë gusht pret shumë turistë nga Kosovë.