Shqiptari tenton të vrasë gruan në Angli prej xhelozisë, e shpëtojnë dy vajzat e mitura..

198
0

Një shqiptarë xheloz dhe i alkoolizuar është dënuar me burg për tentativën e vrasjes së gruas së tij, ngjarje e ndodhur një vit më parë në qytezën Neëquay të Anglisë.

Në gjyqin dy-javor u zbuluan detaje tronditëse se si 44-vjeçari Petrit Zefi kishte sulmuar gruan e tij, të cilën e kishte izoluar në banesë dhe nuk i lejonte të mbante as telefon.

Zefi mbërriti në Angli ilegalisht në vitin 2000. Që prej asaj kohe ai kishte treguar xhelozi të madhe ndaj gruas së tij Natalie, nënë e katër fëmijëve.

Një natë vitin e kaluar, Zefi mori një thikë të mprehtë nga kuzhina, dhe pasi mbylli derën ku ndodheshin dy vajzat e tij, Katie dhe Hanna, shkoi drejt dhomës ku gjendej gruaja me vajzën e vogël, Lola.

Zefi e qëlloi gruan me thikë në kokë, duke bërë që të thyhej maja e thikës dhe t’i ngelej e ngulitur në kafkë ku mjekët nuk kanë arritur t’ia heqin ende. Ai e qëlloi sërish në kokë dhe kur ajo ngriti dorën për t’u vetëmbrojtur, ai e qëlloi për herë të tretë duke i shkaktuar një plagë tjetër në dorë.

Vajza e vogël nisi të bërtasë, duke bërë që në dhomë të hyjnë dy vajzat e tjera, të cilat i kapën dorën duke i marrë thikën. Zefi u largua nga shtëpia duke bërtitur “ajo më tradhton”.

Gjykatësi tha se nëse nuk do ishte për dy vajzat e vogla, të cilat i hoqën thikën, gruaja nuk do të jetonte sot.

Ndërsa pala mbrojtëse u shpreh se sulmi nuk ishte i planifikuar, por një veprim spontan për shkak se ai vuan nga çrregullime mendore.

“Zefi ka një edukim të vështirë dhe të privuar në Shqipëri. Ai humbi të dy prindërit. Ai shërbeu në ushtri në Shqipëri dhe luftoi në Kosovë donte apo jo. Ai siguronte financiarisht familjen e tij. Ky nuk ishte një sulm i paramenduar”, u shpreh avokati mbrojtës.

Gjykatësi vendosi ta dënojë Zefin me 15 vite burg duke thënë se Zefi kishte pranuar që kishte konsumuar alkool dhe kokainë, si dhe sulmi ndaj gruas së tij ishte i paramenduar mirë.