Shqiptarët po ikin, por ata do të zëvendësohen shpejt, qeveria ka një mendje: Të sjellim punëtorë të huaj!

1300
0

Teksa shqiptarët rendin nëpër botë për punë e jetesë më të mirë, kur popullsia në vend pothuajse është përgjysmuar, qeveria do ti zëvendësojë ata me të huaj. Kështu të paktën ka parashikuar në politikat e migracionit. Në një analizë të bërë për strategjinë nënvizohet se qasja në të ardhmen e afërt duhet të jetë e ngjashme me vendet fqinje sot pjesë e BE që për sektorë të caktuar dhe në bazë të kërkesës së tregut bëjnë punësime me kontrata afatgjata për të huajt. “Shqipëria ka një sistem kuotash për menaxhimin e imigracionit të punës, i cili synon të përcaktojë aktivitetet dhe profesionet për të cilat lejohet punësimi, si dhe numri i lejeve të punës. Procesi i përcaktimit të kuotave vjetore për punësimin e imigrantëve varet shumë nga prioritetet e politikave të migracionit dhe nga situata e ndryshueshme në tregun e punës (sidomos në lidhje me punësimin sezonal).

Ky proces ka pasur një efekt të kufizuar dhe duhet të rishikohet për të reaguar më mirë ndaj nevojave të tregut të punës, sidomos në sektorët me mungesë të aftësive. Për më tepër, në të ardhmen e afërt, Shqipëria, njësoj si shumë vende fqinje të BE-së, do të duhet të marrë në konsideratë ofrimin e skemave specifike për tërheqjen e profesionistëve të huaj dhe punëtorëve të kualifikuar në sektorët me kërkesë të lartë, përfshi këtu edhe kombinimin e lejes afat-gjatë të qëndrimit dhe të punësimit” thuhet në strategji. Dokumenti vlerëson se duhet të ketë një analizë më të mirë të migracionit për të parë ndikimin në tregun e punës të tij, flukset migratore si dhe vëllimin dhe strukturën e fuqisë punëtore që më pas do të përcaktojë nevojën për fuqi punëtore të huaj./Monitor