Shqiptarët në Itali denoncojnë infektimet nga Covid të familjarëve të tyre për shkak të punës

265
0

Pas Kinës Italia ishte  vendi i parë në Evropë e në botë, që u prek fort nga pandemia globale Covid-19. 

Deri më sot, në këtë vend, janë regjistruar mbi 122 mijë jete te humbura e mbi 4 milionë të infektuar nga virusi.

15 muaj nga kjo tragjedi njerëzore, Italia po përballet me një tjetër realitet . 

Gjithnjë e në rritje është numri i të sëmurëve, i të infektuarve, familjeve e të afërmve të peronave qe humben jeten nga Covid, që pretendojnë të gjejnë në rrugë ligjore, drejtësi mbi shkaqet e pasojat e infektimit dhe të humbjes se jetes nga virusi.

Në numër të konsiderueshëm janë dhe denoncimet e kryera nga emigrantë shqiptarë.

Instituti Kombëtar Italian i Sigurimeve, ndaj aksidenteve në punë, ka prezantuar raportin e përditësuar me të dhënat statistikore, që nga nisja e pandemisë e deri më 31 mars 2021.

Në këtë Institut janë prezantuar zyrtarisht 551 denoncime aksidentesh në punë për shkak të Covid e me pasojë vdekjeprurëse. 

34.7% e viktimave janë regjistruar gjatë muajit prill 2020. 

9.7% e numrit të përgjithshëm të viktimave të denoncuara, janë emigrantë, e shqiptarët renditen ndër më të shumtit në numër, pas atyre me kombësi peruviane.

E 11.3% e viktimave Covid të komuniteteve të huaja në Itali, janë shqiptarë.

Mosha mesatare e  viktimave është 59 vjeç e 82.8 % e tyre janë meshkuj.

Sa i takon analizës territoriale, përqindja më e lartë e viktimave Covid të denoncuar në Autoritetin Italian si aksidente në punë, rreth 31.8%, jetonin në rajonin e Lombardisë e rreth 44.5% në pjesën Veri-Perëndimore të Italisë.

Shumë më i lartë është numri i denoncimeve të punonjësve të infektuar nga Covid, gjatë procesit të punës.

Nga nisja e pandemisë e deri më 31 mars 2021 në INAIL, (Instituti Kombëtar Italian i Sigurimeve ndaj aksidenteve në punë) janë prezantuar 165.528 denoncime të infektimit nga Covid për shkak të punës.

69,3%  prej tyre janë gra e  30,7% meshkuj.

13,9%  e rasteve të denoncuara janë kryer nga emigrantë ku 8.1% janë shqiptarë. 

Në çdo 10 denoncime, 8 janë femra.

Shumica e tyre i përket sistemit të sigurimit të Industrisë së shërbimeve ku 67.5% janë punonjës në  sektorin shëndetësor e të asistencës sociale.

Numri më i lartë i denoncimeve, rreth 70 mijë i përket grupmoshës nga 50 në 64 vjeç, e më i ulëti në grupmoshën mbi 64 vjeç.

Po ashtu dhe numri më i lartë i viktimave Covid të denoncuar nga familja i përket grupmoshës 50-64 vjeç.