Shqiptarët më të varfërit në Europë por çmimet e apartamenteve shkojnë deri në 5 mijë euro m2 katror, ja kush po i blen

148
0

Shqiptarët e kanë në kulturën dhe traditën e tyre të punojnë gjithë jetën për të siguruar pronësinë e një shtëpie. Banesa konsiderohet shpesh si trofeu i jetës.

Paradoksalisht, 3 dekada eksod i pandalshëm i shqiptarëve, nuk e ka frenuar aspak ndërtimin e godinave të reja. Përkundrazi, në Shqipëri ndërtimi mbetet i vetmi sektor që nuk njeh krizë, por vetëm rritje vit pas viti. Pas bujqësisë, ndërtimi konsiderohet si sektori me kontributin më të lartë në ekonominë e brishtë shqiptare. Aty, notojnë dhe vihen në shina të pastra qarkullimi edhe paratë e botës së krimit….
Është interesante të analizohet se si në Shqipëri, pavarësisht bumit të ndërtimeve të reja, çmimet njohin vetëm rritje dhe kërkesa nuk ndalet. Kjo, bie në kontradiktë të fortë me shpopullimin dhe pamundësinë e një familjeje normale shqiptare për të blerë një apartament me çmimet që njohin rekorde të reja dita-ditës.

Kjo, shpjegohet nga ekspertët me 2 faktorë: blerjen nga shtetas të huaj rezidentë dhe jorezidentë, emigrantët si dhe qarkullimin e parave të pista.
“Tregu i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme përherë kanë qenë ndër kontribuesit kryesorë të ekonomisë. Këto kriza nuk prodhuan krizë në sektorin e ndërtimit dhe te pasuritë e paluajtshme për disa arsye. Tërmeti ridimensionoi kërkesën për ndërtime cilësore, banorët u larguan nga apartamentet e dëmtuara dhe kërkuan apartamente cilësore, duke u larguar nga banesat me qira, por nisën të blinin. Edhe pandemia e ridimensionoi tregun. Edhe lufta në Ukrainë nuk po ndjehet në tregun tonë, pasi ka kërkesë për pasuri të paluajtshme nga të huaj, nga shtetas ukrainas. Ka kërkesa për zona bregdetare dhe apartamente” u shpreh Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.

Referuar listës së çmimeve kombëtare të referencës, në Tiranë, ku është përqendruar edhe popullsia më e madhe në vend, zona më e shtrenjtë mbetet ajo e ISh Bllokut me 190 mijë lekë metri katror. Por, çmimi real i shitjes shpesh shkon shumë më tepër se kaq.

Shoqata Kombëtare e Pasurive të Paluajtshme bën një tablo të çmimeve minimale, mesatare dhe maksimale sipas zonave. Për vitin 2021 ndërtimet që janë bërë para 2015ës janë shitur sipas zonave në Tiranë me çmime nga 700-2500 euro metri katror. Ndërtesat e reja që janë bërë pas 2015-ës janë shitur vitin e fundit nga 850-3500 euro metri katror.
Në qendër të Tiranës ka edhe ndërtesa elitare që shkojnë deri në 5000 euro metri katror.