Shqiptare, mjaft u turret neper supermarkete, koronavirusi nuk është sëmundja e urisë apo e etjes..

1160
0

Dy rastet e para u shënuan edhe në Shqipëri, ndaj na takon të gjithëve të sillemi me vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Por, sidomos, duke dëgjuar mjekët dhe duke respektuar rregullat e vendosura nga Shteti dhe specialistët.

Megjithëse nëpër media, social media, në televizionet e fqinjëve tanë italianë, shteti më i goditur në Europë deri tani, përsëriten dhe ripërsëriten ato 10 pikat më të rëndësishme të sjelljes në kohë koronavirusi, duket se nuk është marrë seriozisht nga disa.

Nëpër Tiranë sheh të rinj dhe jo vetëm që vazhdojnë të pështyjnë në rrugë duke ecur. Nëpër lokale njerëzit qëndrojnë gati ngjitur. Nëpër supermarket në mënyrë të çuditëshme nisën dyndjet për blerje duke fryrë vetëm portofolet e qëndrave komerciale dhe duke ngushtuar distancat (të gjithë ngjitur pas njëri-tjetrit) të njerëzve në radhë duke blerë ushqime të tepërta.

Koronavirusi nuk është sëmundja e urisë apo e etjes, është pikërisht epidemi e kalimit të virusit nga një njeri në tjetrin në rrethana dyndjesh, turmash, grupimesh. Mund të blesh 10 koli ujë, 20 kg makarona e 10 kg djathë të bardhë, por nëse je në një radhë me 20 vetë, apo në lokale e restorante ku filxhanë e lugë nuk i sterilizojnë në lavastovilje, çdo furnizim që bën është fare i kotë.

Koronavirusi është tamam alarmi i kuq i antiturmës: Të shmangim grumbullimet e qëndrimet afër njëri-tjetrit është motoja e këtyre kohëve. Pa ofenduar, pa sharë, pa shtyrë, duhet me zgjuarsi e durim të krijojmë distancat e duhura. Të mësojmë nga Italia që nuk e bëri këtë që në fillim. Të mësojmë e të jemi “fanatikë” të rregullave të higjenës së mirë nëse duam fort familjarët, miqtë e këdo që kemi për zemër.Alba Malltezi