1085 kilometra dhe 4 vende të UNESCO-s në 15 ditë. Këto janë shifrat e itinerarit me biçikletë në një nga vendet më të egra dhe më pak të njohura në Evropë. Kështu e nis artikullin e vetë prestigjiozja italiane Corriere della Sera, e cila i ka kushtuar një reportazh të gjatë Shqipërisë, kryesisht asaj jugore, të parë nga biçikleta në atë që cilësohet si Rruga e Çiklizmit të UNESCO-s.
Ndërsa fton lexuesit që të vizitojnë Shqipërinë, autori thekson se me biçikletë udhëton pa nxitim në rrugë mes tokave të egra ku majat, luginat, vreshtat dhe fshatrat e lashta të varura në shpatet e maleve ndjekin njëri-tjetrin, por edhe manastiret e kështjellat me pamje nga deti dhe qytetet historike, ku koha duket sikur ka ndalur.
Aventura nis pikërisht nga Tirana, e cila cilësohet si kryeqyteti i zhurmshëm i Tokës së Shqiponjave dhe për dy javë vazhdon në një pjesë të Shqipërisë së mesme, në juglindje përgjatë brigjeve të liqenit më të vjetër dhe më të thellë në kontinentit, Ohrit dhe për të vijuar më në jug Shqipërisë, në brigjet e lumit të fundit të egër në Evropë, Vjosës.
Krahas bukurive natyrore autori thekson se gjatë një udhëtimi të tillë çdo kush ka mundësi të njihet me qytete me histori mijëravjeçare të shpallura pasuri botëtore nga UNESCO, vende arkeologjike të paçmueshme, plazhe të pacënuara, gjire sekrete dhe kështjella me pamje nga deti.
Jo pak vëmendje ka marrë bregdeti i jugut, duke nisur nga Saranda e për të vijuar me Himarën, Dhërmiun, Vlorën e deri në Divjakë, ku krahas detit blu mund të shijosh edhe bukuritë e fshatrave të lashtë, manastire me pamje nga deti, por edhe mikpritje si në kohët e vjetra.
Natyrisht që përveç bukurive natyrore dhe jo vetëm, turistët në këto zona mund të shijojnë edhe gastronominë, e cila në artikull konsiderohet si ekselente.
Jo më kot thekson artikulli Shqipëria është renditur edhe nga Nju Jork Tajms si një nga 52 destinacionet kryesore për t’u vizituar nga pushuesit gjatë 2023.
Gjithashtu edhe gjigandi mediatik britanik BBC ka nisur transmetimin e një cikli reportazhesh që i kushtohen bukurive të Shqipërisë.