Targa të personalizuara edhe në Shqipëri, ja sa do te kushtojne

111
0

Brenda muajit shkurt Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor nis shërbimin e targave të personalizuara, ndryshe nga ato tradicionalet që do të mundësojë kombinimin deri në 7 karaktere.

Në një intervistë për Klan News, Blendi Gonxhja, thotë se ky shërbim që ofrohet për herë të parë vjen pas interesit të lartë që kanë patur drejtuesit e automjeteve.

“Ne e prisnim por nuk e dinim që do ishte në këto nivele. Të apasionuarit janë të kësaj pjese, të të dukurit, të statusit. Ka natyrisht edhe artistë, ka celebritete, ka të shoëbizit, ka njerëz të njohur, të biznesit që kanë qejf të kenë kompozimin e tyre dhe që e kanë shumëpritur këtë shërbim”.

Kombinimet me 4 karaktere e poshtë dhe me vetëm numra apo gërma, do të jenë me ankand publik.

“Ato që janë pastaj 4 karaktere e poshtë deri tek 1 karakter, do të jenë akoma dhe më të rralla dhe do jenë të gjitha në ankand”.

Gonxhja shpjegon dhe vlerën e targave me përzgjedhje.

“Tarifat janë goxha të larta sepse do duhet të jetë dhe një shërbim shumë i privilegjuar, por edhe prestigjioz në mënyrë që ata të kenë ç’të mburren para të tjerëve dhe do jetë rreth 1.4 milionë Lekë të vjetra fillon dhe kështu shkon lart e më lart”.

Kjo risi i jep të drejtën blerësit që të mbartë këtë targë te një mjet tjetër, më të ri, kundrejt tarifës përkatëse të transferimit. Pavarësisht se ky shërbim lejon kombinimin e lirë të karaktereve të targës, do të ketë një censurim të fjalëve apo kuptimeve të caktuara, nga pikëpamja etnike apo fetare.