Shkodër / Policëve i urdhërohet të dhurojnë pjesë nga rroga e tyre

556
0

Dëshira për të dhuruar pjesë nga të të ardhurat për personat e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit është bërë në formën e urdhrit nga disa drejtorë institucionesh të cilët kanë nxjerr urdhër (shkresë) për të detyruar punonjësit e tyre të japin para, madje edhe duke përcaktuar shumën e donacioneve sipas hierarkisë në detyrë.

Sipas urdhrit numër 1933 të datës 27 Nëntor 2019, Drejtori i Policisë Vendore Shkodër, Niko Brahimaj ka urdhëruar punonjësit të kontribuojnë sipas hierarkisë së tyre duke i përcaktuar dhe shumat që variojnë nga 5 mijë lekë deri në 2 mijë lekë.

Në këtë urdhër nuk specifikohet një kriter për masën e kontributit që ta vendosë atë të proporcion me të ardhurat. Aty madje shkruhet se kontributet do të dorëzohen deri në datën 2 dhjetor dhe për këtë do të bëhet një listë me emrat e punonjësve dhe shumës që ata kanë kontribuar.

Për këtë urdhër ka reaguar edhe Partia Demokratike. Albana Vokshi ka shkruar në facebook se “ky është urdhër skandaloz! Edi Rama nuk u heq 150 milionë USD oligarkëve të vet, por mban me Urdhër lekët e rrogës së policëve dhe mësuesve. Aktet duhet të anulohen me urgjencë!Shqiptarët janë vetë solidarë, i ndihmojnë siç i kanë ndihmuar vetë deri më sot vëllezërit dhe motrat e tyre”.