Edhe këtë javë që sapo nisim, moti do të vijojë me teka. Sinoptikania Lajda Porja tha në një lidhje live në Klan News se pavarësisht se dita do të nisë me kthjellime, pasditja do të na sjellë reshje. Kjo situatë parashikohet të ndodhë deri të premten dhe në fundjavë.
“Edhe pse jemi në mesin e qershorit na duket sikur jemi ende në Maj duke qenë se xhaketat e lehta nuk po i heqim ende. Parashikohet që edhe këtë javë të mos ketë shumë ndryshim të situatës sikundër e kemi thënë që Qershori do të ketë prezencë të reshjeve. Edhe kjo javë do të mbetet kryesisht e paqëndrueshme. Megjithëse dita do të nisë pa reshje, me kthjellime, herë pas here me vranësira prezente, parashikohet që pas mesditës në shumë zona të ketë grumbullim të vranësirave duke sjellë edhe reshje. Në disa zona, do të ketë rrebeshe afatshkurtra shiu. Më pak reshje parashikohet që të ketë zona e bregdetit ku do të ketë më shumë momente me pika shiu, kurse pjesa tjetër e territorit rrezikohet nga reshje. Parashikohet që të paktën deri ditën e premte, mesdita dhe pasditja pas orës 13:30-14:00 e deri në orën 18:30 në disa raste 19:00 është intervali që do mbetet i rrezikuar nga reshjet”, u shpreh Porja.
Temperatura maksimale do të shkojë këtë të hënë në 30 gradë Celsius. Porja u shpreh se ditën e premte dhe në fundjavë pritet që të ketë një rënie të ndjeshme të temperaturave. Sipas saj, kjo situatë e paqëndrueshme do të na shoqërojë më gjatë seç ishte menduar.
“Ne kishim parashikuar që deri nga mesi i qershorit, por shtyhet kjo situatë e paqëndrueshme të paktën edhe në 10 ditëshin e dytë ku prezenca e reshjeve është pothuajse çdo ditë sidomos në zonat malore dhe të ulëta. Bregdeti, është kryesisht Velipoja dhe Shëngjini që mbeten më shumë të rrezikuara ku vranësirat janë prezentë dhe disi më i favorshëm është bregdeti i jugut. Nuk është se do të ketë një ditë vetëm me diell në jug. Ka vranësira prezente, por reshjet janë të papërfillshme ose vetëm disa momente me pika shiu”, u shpreh meteorologia.