Disa persona të paidentifikuar kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të ambienteve të televizionit Top Channel, duke vrarë rojen e sigurisë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate pranë ambienteve të televizionit në Manëz, ndërsa plumbat kanë qëlluar rojen e sigurisë, shtetasin Pal Koka, duke i shkaktuar vdekjen. 60-vjeçari ishte punonjës i shoqërisë “Octapus”.
Policia thotë se ka ngritur pika kontrolli në disa zona për të bërë të mundur identifikimin e autorëve, ndërsa për zbardhjen e ngjarjes është ngritur edhe një grup hetimor nën drejtimin e prokurorisë.
Sakaq, mësohet se një makinë është gjetur e djegur vetëm pak çaste pas ngjarjes në zonën e autostradës, dhe dyshohet se i përket autorëve.
Momenti kur të shtënat me armë dëgjohen nga banorët e spektaklit “Big Brother Vip”.
“Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve”, bën me dije Policia e Tiranës.