Shi, stuhi dhe përmbytje në fundjavë, paralajmërimi i sinoptikanit: Javën e ardhshme pritet..

116
0

Duke nisur nga mesdita e së Shtunës në të gjithë vendin pritën reshje shiu me intensitet të lartë. Reshjet më të dendura priten në Shkodër, Kukës, Elbasan ,Vlorë dhe Gjirokastër.

“Në orët e pasdites së ditës së shtunë dhe deri paraditen e ditës së diel kemi reshje me intensitet të lartë kryesisht në zonat veri-perëndimore, po ashtu në skajin jugor pritet të kemi reshje shiu herë pas here në formën e rrebesheve, ndërsa në zonat qendrore pritet të kenë reshje me sasi më të pakta.

Reshjet do jenë në sasi të konsiderueshme duke krijuar kështu dhe problematika përsa i përket përmbytjeve kryesisht në zonat veri-perëndimore të territorit shqiptar”, ka thënë meteorologu Hakil Osmani.

Temperaturat e ajrit gjatë fundjavës do jetë të larta duke arritur dhe vlerat 19 gradë, edhe pse jemi në muajin Dhjetor. Ndërkohë që shqetësuese do të jetë parametri i erës. 

“Temperaturat e ajrit nuk do të jenë problematike, pasi do të jenë mjaft të larta gjatë kësaj fundjave , maksimumet luhaten rreth vlerave 18-19 gradë, ndërsa vlerat minimale do të jenë pozitive edhe në zonat malore.  Do të ketë një erë me shpejtësi mbi 65 km për orë duke bërë që herë pas here do të kemi problematikë përsa i përket trafikut detar”, ka thënë Osmani.

Për shkak të reshjeve të shiut pritet të ketë një rritje të prurjeve të lumenjve kryesore, veçanërisht në lumenjtë Drin-Buna, Shkumbin dhe Vjosë. Edhe javën e ardhshme reshjet do të jenë prezente por me intensitet më të ulët ndërkohë që parashikohet një rënie e ndjeshme e temperaturave.