Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e shendetit publik, Eugena Tomini ka paralajmëruar qytetaret se këtë fundviti duhet të festojnë “ngushtë”, në familjet e tyre, që do të thotë se ky vit duhet të konceptohet si një festë brenda familjes së vogël.
“Jo të shkojmë ne te festa, por festa të vijë tek ne. Duhet të festojmë ngushtë këtë vit”, u shpreh ajo për ‘Abc news’.
Ndërsa, e pyetur në lidhje me denoncimin e bërë nga Partia Demokratike lidhur me shifrat e viktimave nga Covid-19 në Shkodër, Eugena Tomini tha se nuk është mirë që t’i jepet situatës ngjyrë politike.
“Unë si specialiste e sëmundjeve infektive në shëndetin publik nuk do t’i jepja ngjyra politike situatës. Personalisht, jo vetëm në emër të bluzës së bardhë që unë mbaj, çdo mjek e ka detyrimin që të përballet edhe me vdekjen. Nuk do ta politizoja këtë lloj elementi. Është tepër kritike edhe për familjarët e atyre që kanë humbur jetën. Mosdeklarimi do peshonte mes familjarëve të atyre që kanë vdekur dhe tek bluzat e bardha….”.
Sa i përket imunitetit të masës, shefja e Epidemiologjisë në ISHP, theksoi jemi ende shumë larg kësaj faze.
“Është e vështirë të themi nëse e kemi arritur një imunitet të tufës. Jemi akoma larg. Masat e kombinuara janë me shpresën e një vaksine, të gjitha bashkë mund të sjellin imunizimin”, – shtoi anëtarja e Komitetit Tektnik të Ekspertëve.