SHBA na dhuron 37 mjete të blinduara. Moses-Ones: Shqipëria, lider rajonal në Ballkan

570
0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë dhuruar Forcave të Armatosura të Shqipërisë 37 mjete të blinduara ndaj pritave apo kurtheve të minuara, që do të përdoren tashmë nga strukturat ushtarake, si pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve të blinduara, të markës “InternationalMaxxPro MRAP” (Mine Resistant Ambush Protected), mori pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara, LeylaMoses-Ones, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneral Brigade, Bardhyl Kollçaku.

“Kjo paketë përkthehet në më shumë cilësi kapacitetesh, më shumë angazhime të përbashkëta dhe sigurisht në më shumë siguri, si për vendin tonë, ashtu dhe për aleancën. Armatimi i ri sipas standardit të NATO, po e ndryshojnë cilësisht realitetin e përditshëm të punëve të ushtarakëve tanë, si dhe po rrisin dita-ditës performancën e tyre gjatë ushtrimit të detyrave. Mjetet do të rrisin sigurinë e personelit, sidomos ndaj minave dhe mjeteve shpërthyese të improvizuara, që konsiderohet tashmë si një prej kërcënimeve më të pranishme në mjedisin operativ”, u shpreh ministrja Xhaçka.

E ngarkuara me punë e SHBA-ve në vendin tonë, LeylaMoses-Ones vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon, dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes e konsiderojnë jo vetëm në favor të Shqipërisë, por edhe të aleancës.

“Kjo aftësi e re e blinduar do të rrisë mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë, do të forcojë krahun jugor të NATO-s dhe do të sigurojë fuqi vendimtare luftarake në NATO, që mund të dislokohet në mbështetje të operacioneve globale. Ky është një tjetër shembull sesi Shqipëria po rritet si një lider rajonal në Ballkan. Nën drejtimin aktual, komunikimi dhe bashkëpunimi midis forcave tona ushtarake nuk ka qenë kurrë më i fortë, ndërsa shpërndarja e këtyre automjeteve shënon përfundimin e një faze të bashkëpunimit tonë”, tha Leyla Moses-Ones.

37 mjetet e blinduara janë pjesë e paketës së ndihmës së Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcat tona të Armatosura. Mjetet e mbrojtura dhe rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara kanë një ekuipazh prej 3-7 ushtarakësh.