Sekuestrohen 50 mln euro pasuri të 7 personave në Tiranë, mes tyre “VIP-a” të rrjeteve sociale.

435
0

50 milionë euro pasuri në pronësi të 7 personave, të dënuar më parë në Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike, janë sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës. Në një njoftim për mediat, organi i akuzës thotë se nën sekuestro janë vendosur gjithashtu edhe subjekte tregtare po në pronësi të personave në fjalë.

Gazetari Besar Bajraktaraj, në mesin e personave që u është sekuestruar kjo pasuri janë Elman Abule dhe bashkëshortë Kristian e Drilona Boçi, këta të fundit personazhe të njohur në rrjetet sociale.

Prokuroria e Tiranës thotë se Elman Abule në bashkëpunim me Kristian Boçin dhe personat e tjerë, kryesisht familjarë të këtij të fundit, kanë themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin maskimin e kryerjes së aktiviteteve të paligjshme, një skemë e mirëfilltë e pastrimit të parave.

“Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se Elman Abule në bashkëpunim me shtetasin Kristian Boçi, E.B etj., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre. Elman Abule rezulton i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale. Gjithashtu nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

“Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të Kristian Boçit, apo V. A., kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale”, thotë prokuroria e Tiranës.

Akuza zbulon edhe sesi funksiononte kjo skemë.

“Nga hetimi i kryer është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si p.sh.: shitje-blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anulimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditërisht del edhe garant i shumave të dhëna, krijimi i shoqërive fiktive, të cilat është provuar se pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar, dhënia e huave në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, krijimi i shoqërive me kuota të përbashkëta midis shtetasve Elman Abule dhe Kristian Boçi, apo midis Kristian Boçi dhe E. B., duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektive, blerja e HEC-eve me vlera të konsiderueshme, por të papërligjur burimi i të ardhurave, etj.

/tvklan/