Rritja e numrit të emigrantëve të paligjshëm që po kalojnë nëpërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për të kërkuar azil në BE, ka nxitur bisedimet për pezullimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor.
Presidenca çeke ka propozuar ndalimin e lëvizjes së lirë në rajon si mënyrë për t`i vënë fre emigracionit të parregullt.
“Fakti që Serbia dhe Shqipëria asnjëherë nuk i përafruan plotësisht listat e tyre të lëvizjes me BE-në, pavarësisht se ata gëzojnë udhëtimin pa viza në bllok, kontribuon në rritjen e numrit të emigrantëve të parregullt që hyjnë në Bashkimin Europian përmes kësaj rruge”, thuhet në një memo të brendshme të kësaj presidence.
“Shtetas nga Turqia, Tunizia, India, Kuba dhe Burundi po hyjnë legalisht pa viza me rrugë ajrore në Serbi, e disa prej këtyre vendeve janë duke hyrë edhe në Shqipëri, ndërsa një numër shumë i lartë i tyre lëviz në mënyrë të parregullt më tej drejt vendeve anëtare të BE-së ”, theksohet në dokument.
Këto janë kombësi që nuk janë hasur kaq shumë më parë në këtë rrugë, dhe ekziston rreziku i një tendence në rritje,” nënvizohet më tej. Në mënyrë të vecantë, rrugën ballkanike po e përdorin së fundi shtetasit indianë. Kroacia dhe Sllovenia për shembull, theksohet në memo, vitin e kaluar nuk patën asnjë aplikim azili nga India, Burndu apo Kuba, ndërsa këtë vit kanë regjistruar 1.700 të tilla.
Propozimi nënvizon idenë e disa masave më qëllim reduktimin e numrit të emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në BE nëpërmjet Ballkanit Perëndimor. Rritja e numrit të emigrantëve të paligjshëm po ushtron presion mbi shtetet fqinje të BE-së, Austrisë, Kroacisë si edhe Sllovenisë. Ndaj në dokument nënvizohet presioni diplomatik ndaj Shqipërisë dhe Serbisë për të harmonizuar heqjet e vizave dhe për të rikthyer mbrapsht më shumë emigrantë të parregullt.
“Në rast se përpjekjet diplomatike do të dështojnë, BE-ja duhet gjithashtu të përgatitet dhe të marrë në konsideratë një listë të masash të tjera që mund të përdoren, duke përfshirë këtu edhe në kontekstin e mekanizmit të pezullimit të vizave”, thuhet në memo./tch/