Rritet sërish cmimi i naftës

68
0

Nga 24 Shtatori, çmimi i naftës do të tregohet 7 lekë më shtrenjtë. Ky është vendimi më i fundit i Brdit të Transparencës, që njofton se 1 litër naftë do të tregohet me 223 lekë për litër, nga 216 lekë për litër që tregtohej më shumë se një javë më parë.

Bordi ka vendosur që çmimi i benzinës të jetë i pandryshuar, duke u tregtuar në pikat e karburanteve me 194 lekë për litër. Gazi do të shitet me një lekë më shtrenjtë, me 78 lekë.

Ministria e Financave ndërkohë ka sqaruar se vendimet e Bordit vijnë si rezultat i lëvizjes së çmimeve në bursën Platts Mediteran, ku rritja e gazoilit vjen për shkak të rritjes së dy faktorëve të çmimit të bursës të naftës dhe të kursit të këmbimit valutor.

“Ministria e Financës ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës. Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ.”

Ministria thekson se situata që po kalojmë nuk është zakontë, ndaj dhe vendimet që merren, vijnë si përgjigje e zhvillimeve të ekonomisë vendase, por edhe e lëvizjeve të tregjeve ndërkombëtare.