Rrëfimi EKSKLUZIV/ Flet avokati i Mario Majollarit: Jeta në Suedi e 28-vjeçarit

455
0

Ina Allkanjari – I ndjerë në rrezik dhe i pambrojtur në vendin e tij, përballë të shkuarës që e përndiqte prej 18 vitesh, Mario Majollari, i riu 28-vjeçar, i cili ra pre e gjakmarrjes, tentoi për një periudhë të gjatë t’i jepte zgjidhje situatës ku ndodhej. Ai ishte i bindur se një ditë, hasmi i krijuar pikërisht prej dorës së babait të tij do të lante gjakun e derdhur vite më parë.

Ndoshta Suedia ishte mundësia e tij për të pasur një jetë të sigurt. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, avokati mbrojtës i të ndjerit, Maravgi Staifo, na tregon tentativat e shumta të Marios për të siguruar azil në Suedi. I tronditur nga lajmi, avokati shprehet se bordi i emigrimit e refuzoi kërkesën e Marios për azil me arsyetimin se të riut mund t’i sigurohej mbrojtje nga autoritetet shqiptare.

“I riu e përshkroi situatën në Shqipëri dhe tregoi se nuk ishte e mundur të merrje mbrojtje, ndoshta për shkak të traditave të vjetra që mbart vendi si në rastin e gjakmarrjes. Ai u shpreh se nuk ndihej i sigurt në situatën që gjendej. Mendoj se bordi e dinte situatën në Shqipëri, por i thanë që duhet të përpiqej në çdo mënyrë që të merrte sigurinë në vendin e tij”, tregoi avokati Maravgi Staifo. Pas refuzimit të azilit, Mario u përpoq të qëndronte larg Shqipërisë duke shkuar në destinacione të ndryshme për të jetuar si Belgjikë, Gjermani apo Oman. 28-vjeçari kishte vetëm dy muaj që ishte kthyer në vendit e tij dhe mbrëmjen e 10 prillit, pikërisht poshtë banesës ku jetonte me mamanë dhe të motrën, ai u qëllua me tri plumba dhe gjeti vdekjen e menjëhershme.

Zoti Maravgi Staifo, ju keni qenë avokati i Mario Majollarit në Suedi. Kur daton takimi juaj i parë?
Unë kam qenë avokati mbrojtës i Marios, e takova në vitin 2014 dhe ishte klienti im deri në dhjetor të 2016-ës. Kur dikush aplikon për azil, bordi i emigrimit i cakton një avokat, në qoftë se klienti nuk ka mundësi ta paguajë dhe në këtë mënyrë ai u vu në kontakt me mua.

Çfarë të tha për situatën e tij në Shqipëri, cila ishte arsyeja që kishte aplikuar për azil?
Siç e dini, ai bëri një aplikim për azil pasi ndihej i kërcënuar në vendin e tij, për shkak të gjakmarrjes. Kjo ishte arsyeja reale pse kërkonte të largohej nga Shqipëria. Bordi i emigrimit e besoi historinë e tij, por i thanë se duhet të kërkojë mbrojtje nga autoritet shqiptare. Bordi arriti në konkluzionin që në bazë të informacionit që dispononte, ishte e mundur që Mario të merrte mbrojtje në vendin e tij.

Cila ishte konkretisht arsyeja e refuzimit për përfitimin e azilit?
Brodi vendosi të refuzojë aplikimi e tij, sepse Mario duhet të kërkonte dhe të aplikonte për mbrojtje tek autoritetet shqiptare. I riu e përshkroi situatën në Shqipëri dhe tregoi se nuk ishte e mundur të merrje mbrojtje, ndoshta për shkak të traditave të vjetra që mbart vendi, si në rastin e gjakmarrjes. Ai u shpreh se nuk mund të merrte një mbrojtje në situatën që gjendej. Mendoj se bordi e dinte situatën në Shqipëri, por i thanë që duhet të përpiqej në çdo mënyrë që të merrte siguri në vendin e tij.

Kishte mungesë dokumentacioni që vërtetonte situatën e tij?
Bordi i emigrimit disponon informacione se si është situata në Shqipëri, që nuk është 100% e sigurt, por pavarësisht kësaj, i thanë që autoritetet e vendit të tij mund t’i jepnin mbrojtje. Ata nuk i thanë se nuk e besonin historinë e tij, por se nuk ishte përpjekur mjaftueshëm në vendin vet përpara se të vinte në Suedi. Nuk besoj se bordi ka një kontakt direkt me autoritetet shqiptare, ata kanë informacione nga organizata të shumta ndërkombëtare, të cilat i shpjegojnë cila është situata në shtete të ndryshme.

Si proceduat më tej?
Ne u përpoqëm të përshkruanim përpara autoriteteve suedeze se Mario nuk e kishte të mundur të merrte një mbrojtje, por nuk arritëm të siguronim aprovim për azil. Mesa kuptova nuk ishte e mundur që Mario të merrte siguri në vendin e tij, unë besova tek ai, por nuk u bë e mundur t’i ofrohej azili.

Çfarë ju tregoi Mario për të shkuarën e tij, pse ndihej ai i rrezikuar? Kishte marrë ndonjë kërcënim direkt nga ndonjë person në Shqipëri?
Klienti im, Mario, u shpjegoi autoriteteve në Suedi se ndihej i kërcënuar dhe i rrezikuar në vendin e tij për shkak të së shkuarës dhe u tregua shumë i qartë në atë çfarë e shqetësonte. Ai nuk deklaroi të ketë pasur një kërcënim direkt nga ndonjë person, por ndihej i rrezikuar prej krimit që kishte kryer babai i tij vite më parë. Rreziku ishte karshi familjes së tij për shkak të së shkuarës së të atit.

Kur e takuat për herë të fundit, si mund ta përshkruani gjendjen e Marios, ndihej i frikësuar?
Marion e takova për herë të fundit në dhjetor të vitit 2016, u përpoqëm shumë që atij t’i ofrohej një zgjidhje. Kur dëgjova çfarë i kishte ndodhur, u trishtova shumë. Jam shumë i pikëlluar. Ky është një demonstrim i qartë se kishte të drejtë në atë që na tha. Do dëshiroja shumë t’i ishte ofruar një zgjidhje.gsh/