Historia e veçantë e qenit shqiptar që po rrit fëmijët e lagjes

668
0

Tirana ka qen. E gjithë Shqipëria ka qen. Çdo lagje, çdo rrugë, çdo shesh, çdo lulishte, çdo hapësirë publike ka. Është një realitet në të cilin kemi lindur dhe jetuar të gjithë ne: asgjë e çuditshme, asgjë e pazakontë. Janë si stolat, pemët, ndërtesat, makinat, kalimtarët: gjithnjë kanë qenë aty, si pjesë e pandarë e peisazhit; njollëza laramane e të gëzofta që lundrojnë mbi grinë e asfaltit, teksturat e pllakave dhe gjelbërimin e barit. Tirana ka qen dhe gjithmonë ka pasur, për aq kujtesë kolektive sa kemi.

Dikujt kjo pjesë e realitetit të përditshëm i shkakton siklet, dikujt tjetër frikë, të tjerëve akoma përbuzje. Dikush provon keqardhje, dhembshuri dhe dashuri, që më pas përkthehet në formën e një përkedhëljeje apo e një qeseje mbeturinash ushqimi nga dreka e djeshme. Shumë të tjerë janë tërësisht neutralë dhe pasivë, sepse për ta një qen në rrugë është thjesht një pllakë, një stol apo një tabelë tjetër në rrugë, me pak lesh përsipër- asgjë më shumë, asgjë më pak.

Edhe ne në lagjen tonë kemi “qenin e lagjes”, prej gati 7 vitesh tashmë dhe të pagëzuar me thuajse të njejtin numër emrash të ndryshëm. Duket të ketë lënë një gjurmë në zemrat e shumë banorëve, të cilët më pas nga ana e tyre kanë lënë një gjurmë tek ajo në formën e një emri përkëdhelës. Bardhoshja, Falina, Baldosa, Lupi, Roza, Goca… Janë 6 emra të ndryshëm të cilët e bëjnë qenin e lagjes sonë ta kthejë kokën me të njejtin vrull, të tundë bishtin me të njejtin intensitet e të kërcasë thonjtë në asfalt me të njejtin ritëm ndërkohë që vrapon për të marrë përkëdheljen e rradhës. Ndonjëherë nuk ka as nevojë ta thërrasësh: të njeh siluetën, aromën, ecejaken dhe puf, e gjen papritur të këmbët e tua, me barkun përpjetë e të ekspozuar në mënyrën më të pacipë të mundshme, duke pritur me padurim kruarjen që e ka të qartë që do vijë, sepse metoda e saj është e pagabueshme- patjetër, ka vite që e përpunon, teston dhe më pas korrigjon, derisa i ka dhënë një format që i mundëson korrje suksesi në thuajse 100% të rasteve. Askush nuk i reziston një barku leshator përpjetë, le ta pranojmë.

U shfaq për herë të parë një mbrëmje teksa po bëja xhiron e zakonshmë me qenin tim. Ishtë disa muajshe, në fazën midis të qenurit këlysh dhe i rritur. Kishte një plagë të madhe, të hapur në shpinë që të drithëronte kur e shihje, por nuk e pengonte aspak të hidhej e përdridhej përqark qenit tim, me gjuhën jashtë dhe sytë që i shkëlqenin nga gëzimi ndërkohë që ftonte mikun e saj të privilegjuar në lojë. Për një periudhë kohe dukej dhe zhdukej vazhdimisht, e ҫdo herë që rishfaqej, plaga në kurriz ishte gjithnjë më e përtharë, derisa u mbyll plotësisht dhe i ridolën qimet e bardha të cilat frymëzuan emrin e saj të parë (dhe më cliché), Bardhoshe- të njejtat qime që tani janë plotësisht gri nga qëndrimi në zhulin e rrugës. Bardhoshja zuri rrënjë në lagjen tonë- një shtim tejet i lezetshëm i pejsazhit: një topth i bardhë, i spërkatur tek-tuk me njolla të verdha dhe të zeza, që lodronte sa andej-këtej nëpër lagje. Mësoi orën e xhiros së pasdites që bëja me qenin tim dhe priste me padurim që të na bashkohej, duke kërcyer gjithë energji dhe entuziazëm rreth nesh, me elegancën e një sorkadheje. Prej këtij zakoni u pagëzua me emrin e saj të dytë, Falina, që është emri i shoqes së Bambit në filmin e famshëm (dhe traumatik!) vizatimor: një drenushe që sapo e shihte protagonistin, i qasej duke u hedhur e përdredhur krahë tij.

-640-0-5ad099e3ce226

Qeni im dhe Falina u rritën bashkë, paralelisht me njëri-tjetrin, shumë pranë në terma gjeografikë, por shumë larg në ato fizikë. Qeni im shpërblehej me kafshata nga pjatat tona, Falina rrëmonte kazaneve të plehrave; qeni im flinte në krevat, Falina në trotuar; qeni im strukej nën batanije netëve të ftohta, Falina kruspullosej në tapetin e jashtëm të një lokali të lagjes; qeni im vinte me mua në plazh në ditët e nxehta, Falina bënte pllaq-plluq në pellgjet e krijuara nga gropat e rrugës. E megjithatë, Falina zgjohej ҫdo ditë me të njejtin gëzim e mirënjohje për jetën, gati të kryente të njejtën rutinë ditore- bërja e ҫiҫit, nuhatja e të gjithë ҫiҫave të tjerë nëpër lagje, kullufitja e racionit ditor të ushqimit nga banorët, një kruarje te veshët, gjumë, inspektim te kazani i plehrave, tjetër ҫiҫ, një përkëdhelje te barku, xhiro me ate gocën e pasdites që del me atë qenin e llastuar, kakë, një kontroll i fundit te plehrat, gjumë- me entuziazmin dhe padurimin e një aventure që përjetohet për herë të parë.

Falina u bë dy herë mama dhe e gjithë lagjia gëzoi e lëngoi të dyja herët. Toptha leshi që bridhnin nëpër rrugë, humbnin, rishfaqeshin të plagosur, qulleshin nga shiu, dridheshin nga i ftohti, sëmureshin, aksidentoheshin, zhdukeshin… Këlyshë që vinin në jetë dhe priteshin nga bota me sprovat më të vështira që në orët e para të ekzistencës. Me sterilizimin e saj erdhi një lloj paqeje kolektive në lagje, përveҫse një përmirësim i dukshëm në shëndetin e Falinës, që nga një masë kockash e mbuluar nën një shtresë gëzofi- pavrësisht përpjekjeve tona për ta ushqyer, trupi i saj konsumohej ҫdo ditë e më shumë nga ushqyerja e plot 10 vogëlushëve- u rikthye në një qenushe të shëndetshme dhe energjike. Euforia jonë për përmirësimin e dukshëm të saj na bëri të na rrëshkiste pak dora me ushqimin, dhe kështu, pa e vënë re as vetë, shumë shpejt krijuam një masë dhjami më të gjerë se të gjatë. Së bashku me kilet e reja fitoi edhe emrin e saj të tretë: Baldosa.

-640-0-5ad099e639929

Baldosa tashmë kishte pikëqëndrimin e saj në lagje. Të gjithë e dinim ku ta gjenim: përpara një lokali, te hyrja kryesore e tij, ose e ngecur midis këmbëve të tavolinave dhe karrikeve. Ishte një pikë e menduar mirë, e përllogaritur në detaj dhe shumë strategjike. Gjatë ditës kishte akses të lirë e të vazhdueshëm në ushqim dhe përkedhelje. Kushdo ndalej te lokali, kishte për detyrë të kalonte truprojen tonë bullafiqe: bileta ishte një kruarje veshi- e detyrueshme- dhe një kafshatë e shijshme- opsionale. Gjatë natës strehohej nën tendën e lokalit, mbi një krevat modest të lënë enkas për të. Komuniteti i lokalit i dha emrin e saj të katërt: Lupi. Pronarët ishin një ҫift simpatik që mbartnin meritën e mirëqënies së saj të vazhdueshme, po ashtu si dhe fajin e një pjese të mirë të atyre kileve te tepërta. Të shihje here pas here fëmijën e tyre jo më shumë se 3-4 vjeҫ që luante me Lupin dhe zhytej në tulet e saj ishte një nga ato skenat që i shihje në mëngjes dhe të zbukuronin gjithë ditën, duke të lënë një shije të ëmbël dhe duke të rikthyer besimin te njerëzimi.

Lupi pak nga pak u zhyt në një jetë të rehatshme dhe sedentare. Dashuria njerëzore që e rrethonte e bëri dembele, megjithëse disa do argumentonin që thjesht u rrit dhe u poq, duke i lënë pas prapësirat prej këlyshi. Shëtitjet pasditeve me qenin tim, gjatë të cilave na shoqëronte duke lodruar, ishin kujtime të largëta. Në dalje të lagjes, Lupi kthehej mbrapsht. Veprimtaria fizike më e lodhshme që ndërmerrte gjatë ditës ishte pikërisht ajo që ne nuk donim: xhiro deri te kazanët e plehrave, vajtje-ardhje, disa herë në ditë. Nuk kishte rëndësi sa e ushqenim- që qartësisht, ishte shumë më shumë nga ҫ’duhej- ajo prapë do e bënte një inspektim të shpejtë te plehrat. Në ҫdo vizitë hidhte në kazan një tjetër copëz të krenarisë sonë kolektive që kishim adoptuar dhe edukuar një qen rruge. Vaktin e hante të blerë në supermarket, dessert-in të rrëmuar te plehrat. Një zonjushë e vërtetë.

-640-0-5ad099e5ad732

Mëngjesin e një dite eventi në Tiranë, Lupi u zhduk. Nuk u duk as në darkë, as të nesërmen, as të pasnesërmen. Dy qen të tjerë të lagjes ngjitur ishin zhdukur të njejtën ditë. E dinim ku kishte shkuar dhe e gjetëm pikërisht atje: në spitalin veterinar të Bashkisë. Shkuam disa herë në klinikë dhe u kthyem ҫdo herë duarbosh; u drejtuam të zyrat e AMK-së sipas udhëzimeve; depozituam letrën tonë të ankesës; bëmë një peticion me firmat e banorëve të lagjes- të gjithë donim të kthehej. Lagjia ishte dëshpërimisht dhe patetikisht bosh. Një qen rruge, i shfaqur vite më parë me një plagë në kurriz, ishte bërë esenca e një rrugice, pjesë e pandashme e rutinës së një komuniteti. Dalja dhe hyrja në lagje ishte tepër e heshtur dhe e trishtë pa ҫukitjen e thonjve të Lupit që të përcillte e të priste ҫdo herë. Lokali ishte mbushur plot me ushqimet që klientët sillnin për të që nuk ishte më. Morëm vesh që Lupi, së bashku me dy qentë e tjerë, ishin kapur në lagjen ngjitur, mu para një dyqani mishi. Zonja që punonte aty dhe që kishte vite që kujdesej dhe ushqente dy të tjerët na tregoi që qeni ynë budalla, e thirrur Roza nga banorët e lagjes ngjitur, kishte zakonin të shkonte ҫdo mëngjes herët tek ajo dhe të priste me durim kafshatën ditore. Ah, Roza, ti dhe babëzia jote… Je klinikisht obeze dhe përsëri shkon të lypësh një kockë. Mezi lëviz vendit dhe prapë se prapë merr mundimin ҫdo ditë të kalosh dy rrugë kryesore e plot qarkullim për të shkuar deri te dyqani i mishit. Ti dhe babëzia jotë, shih ҫ’na bëtë… Pas një jave të gjatë pritjeje me një padurim dhe frikë që nuk merrnim më as mundimin ta fshihnim nga njëri-tjetri- dinjiteti ynë ishte shkelur me kohë e me vakt: të gjithë ishim të dëshpëruar nga zhdukja e një qeni rruge- duke hyrë në lagje dëgjova zhurmën kaq të njohur të trokitjes së thonjve në asfalt. Kthej kokën dhe ja tek ishte, më barkun përpjetë, putrat e parme të mbledhura në kraharor dhe me bishtin që ishte kthyer në nje sfumaturë të bardhë nga tundja e shpejtë që po i bënte. Roza ishte kthyer me gjithë madhështinë e tuleve dhe zhulit të saj. Roza ishte kthyer, por dy qentë e tjere nuk u kthyen kurrë.

Falë fluksit të përditshëm të lokalit dhe njoftimeve që publikuam në internet gjatë javës që ishte zhdukur, qeni i lagjes sonë njihet sot nga një pjesë e madhe e Tiranës. Secili e njeh me një emër ndryshe dhe kush e di, janë shumë më shumë emrat me të cilët është pagëzuar nga ҫ’di unë. Sa herë që flasim me një banor të lagjes, klient të lokalit apo thjesht një kalimtar, duhet të koordinohemi me një nga emrat për të kuptuar për cilin qen po flitet- në lagjen tonë flasim shumë për qen- kështu që kemi rënë dakort të gjithë, në mënyrë spontane dhe tërësisht të pavarur, për një emër me të cilin e njohim të gjithë, i ngarkuar me po aq dashuri e patetizëm sa thuajse të gjithë të tjerët: Goca, goca e lagjes.

Goca i është rikthyer jetës së saj sikur asgjë të mos kish ndodhur: gjumë, ushqime të paketuara, përkedhelje në bark, inspektime të kazanëve të plehrave dhe… dhe vizita në mëngjes te dyqani i mishit. Ky qen nuk zë mend.

Tirana ka qen. E gjithë Shqipëria ka qen. Edhe në lagjen tonë kemi “qenin e lagjes”. Është 7 vjeҫ dhe ka të paktën 6 emra. I pëlqen ushqimi, përkëdheljet dhe plehrat. Një brez i tërë fëmijësh në lagjen tonë po rritet me të. Një brez i tërë pjesëtarësh të ardhshëm të shoqërisë po rriten më të butë, më të dashur, më të dhembshur, më njerëzorë falë qenit të lagjes sonë. Lexova diku një profesionist britanik të kinologjisë që pohonte se “mund të marrësh qenin nga rruga, por nuk mund të nxjerrësh dot rrugën nga qeni”. Nuk dua të diskutoj vërtetësinë e këtij pohimi, jo në këtë shkrim të paktën. Në rastin tonë, ne nuk kemi marrë dot qenin nga rruga, por qeni ka nxjerrë rrugën nga të gjithë ne. Qeni ynë me 6 emra./Burimi xing

-640-0-5ad09c9513a1e