Rinovimi i pasaportës, pa shkuar në komisariat! Lehtësi për emigrantët, rinovimi 6 muaj para skadimit

2784
0

Gjatë këtij viti mbushen 10 vite nga data e fillimit të prodhimit dhe pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike e pritshmëritë janë që të ketë një fluks të madh aplikimesh nga shtetasit shqiptarë që do të ripajisen me pasaporta.

Për të eleminuar radhët e gjata, Ministria e Brendshme ka propozuar në Kuvend disa amendamente në ligjin “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, i ndryshuar.

Në thelb, ndryshimet parashikojnë mundësinë që Ministri i Brendshëm të përcaktojë me udhëzim procedurën e ripajisjes me pasaportë biometrike si dhe dokumentacionin që duhet të paraqitet nga shtetasit shqiptarë që aplikojnë për t’u ripajisur.

Në bazë të ndryshimit ligjor të propozuar, ministri i Brendshëm do të përcaktojë me udhëzim procedurën për ripajisjen me pasaportë biometrike. Gjithashtu, nisur nga problematikat e hasura në praktikë, kur shtete të ndryshme kushtëzojnë hyrjen apo qëndrimin në territorin e tyre, me afatin e vlefshmërisë së pasaportës, si dokument udhëtimi, nëpërmjet këtij projektligji, është propozuar mundësia e ripajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaportë biometrike edhe 6 (gjashtë) muaj para përfundimit të afatit të vlefshmërisë së pasaportës së mëparshme, në varësi të shteteve drejt të cilave do të udhëtojnë apo qëndrojnë” shkruhet në relacion.

Më tej, relacioni shkruan se “ndryshimi i propozuar bëhet në kuadër të lehtësimit të shërbimeve dhe nuk  cenon sigurinë e pasaportës biometrike, por eliminon paraqitjen pranë komisariateve të policisë të të gjithë shtetasve, të cilët janë verifikuar një here nga policia, kur kanë aplikuar për pasaportë biometrike për herë të parë”.

Për këtë qëllim, pas analizës së bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, është vlerësuar se në rastet e ripajisjes së shtetasve me pasaportë, të përcaktohet me udhëzim të ministrit të Brendshëm edhe procedura e ripajisjes me pasaportë të zakonshme biometrike.

Gjatë procedurës së aplikimit për t’u ripajisur me pasaportë, shtetasi do të paraqesë pasaportën e mëparshme (ose vërtetim nga Komisariati i Policisë në rast humbjeje të saj), kuponin për pagesën dhe aplikimin (me fotografinë aktuale), në mjediset e përcaktuara nga koncesionari për këtë qëllim, në përputhje me rregullat e miratuara në kontratën koncesionare, midis Ministrisë së Brendshme dhe koncesionarit.

Gjithashtu, në projektligj është parashikuar mundësia e ripajisjes me pasaportë edhe 6 (gjashtë) muaj para mbarimit të afatit të vlefshmërisë së pasaportës së mëparshme biometrike, në rastet kur shtetasi udhëton apo qëndron përkohësisht në shtete që kushtëzojnë hyrjen apo qëndrimin në territorin e tyre, me afatin 6-mujor të vlefshmërisë së pasaportës.

Ky ndryshim bëhet për t’i dhënë mundësi shtetasve që, në kuadër të lëvizjes së lirë, të mos kushtëzohen nga politikat e shteteve të ndryshme, në lidhje me kriteret e hyrjes dhe të qëndrimit në territorin e këtyre shteteve, të lidhura me afatin e vlefshmërisë së dokumentit të udhëtimit/pasaportës, në veçanti, kur u duhet të udhëtojnë dhe të qëndrojnë në këto shtete, për motive studimi, kurimi apo arsye të tjera, të cilat diktojnë udhëtimin apo qëndrimin për një periudhë të
të caktuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” shkruhet në relacion. /Scan tv/