Reshje shiu edhe në fundjavë, deri kur do të vazhdojë moti i paqëndrueshëm?

1114
0

Edhe pse jemi në muajin korrik, pra në mes të sezonit veror, temperaturat kanë pësuar një rënie të ndjeshme, ku gjatë ditëve të fundit kemi pasur dhe reshje shiu. Meteorologia Adiola Bani, tregoi për ReporT Tv, se si do të vijojë moti gjatë fundjavës.

“Duke filluar që nga dita e nesërme në pasdite dhe kryesisht pasditja e ditës së shtunë dhe orët e para të  ditës së diel do të jenë me vranësira dhe rrebeshe shiu ku më të dukshme reshjet  herë pas here dhe në reshje më intensive do të jenë gjatë orëve të natës të ditës së  shtunë dhe mëngjesit të ditës së dielë”-tha meteorologia.

Ky mot disi i paqëndrueshëm do të vazhdojë deri ditën e mërkurë, ndërsa më pas do ti kthehemi normalitetit.

“Parashikohet që deri në mesin e javës që vjen të mbetemi në kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi shirat do të vijojnë të mbeten prezentë, ndërsa që nga dita e mërkurë dhe në vijim pritet që sërish t’i rikthehemi temperaturave të larta dhe motit me diell”-u shpreh Bani

Ndërsa për pushuesit, të cilët kanë zgjedhur muajin korrik, për të bërë pushimet verore, meteorologia thotë se muaji do të vijojë me temperatura të larta me vlera rreth 35-36 gradë celcius.

“10 ditëshi i fundit i korrikut do të jetë thuajse me më shumë ditë me diell dhe temperatura të larta, kështu që qetësisht edhe pushuesit mund ta shijojnë plazhin” –tha meteorologia Bani

Edhe gjate këtyre ditëve mund të shijojmë ditët e freskëta ku temperatura do të arrijnë deri në 31 gradë, që më pas tu kthehemi ditëve të nxehta me diell. d.ba./Shqiptarja.com