Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e cilëson të drejtë zhbërjen e Gjykatës Speciale në Kosovë. Në një intervistë për televizionin Klan Haradinaj thotë se pavarësisht pozicionit të forcës politike që ai përfaqëson, si kryetar i qeverisë do të respektojë vendimmarrjen e parlamentit.
“Pozicioni im dhe i subjektit që udhëheq, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kemi votuar kundër, kemi qenë kundër atëherë, jemi kundër sot dhe jemi kundër çdo herë, është një veprim i padrejtë ndaj Kosovës. Sido që të jetë Kosova ka marrë obligime për këtë gjykatë nga parlamenti dhe nëse parlamenti voton ndryshe e respektojmë, nëse mbetet ajo që ka votuar e respektojmë.”
44 deputetë të parlamentit të Kosovës kanë ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, për të cilin thonë se kjo gjykatë nuk do të dënojë krimet, por kërkon të dënojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një nisme kjo që ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar.
Mediat në Kosovë shkruajnë prej ditësh se për shkak te qëndrimit të tij ndaj kësaj Gjykate, Ambasada Amerikane në Prishtinë i ka refuzuar vizën.
Por kryeministri e hedh poshtë këtë lajm, teksa thotë se ka edhe një lajm të mirë për të dhënë, si pajisja e tij me pasaporte shqiptare. “Mediave ju mungon viza, për mua jo. Unë do ta kem së shpejti vizën amerikane, njëkohësisht kam edhe pasaportën shqiptare dhe këtë e quaj për nder.”
/Tv Klan