Rama jep lajmin e mirë për shqiptarët në Itali: Së shpejti marrëveshje me Italinë për pensionet

169
0

Edi Rama siguron se njohja e kontributeve për të përfituar pensionin për shqiptarët që jetojnë në Itali është një hap që qeveria Meloni do ta hedhë shumë shpejt. Madje në krah të zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Antoni Tajani, ai kërkon nga kjo kategori përfituesish të ngrenë dolli për finalizimin e këtij vendimi nga qeveria e vendit ku aty jetojnë prej vitesh.

“Dua vetëm t’u them shqiptarëve që janë në Itali prej vitesh dhe kontribuojnë prej vitesh në zhvillimin e ekonomisë italiane dhe kemi kuptuar shumë herë që marrëveshja për pensionet është në pikë arritje pothuajse dhe kemi fituar nga premtimi solemn nga zëvendës kryeministri që kjo pikarritje nuk do të jetë një pikënisje tjetër siç ndodh shpeshherë në anët tona. Kështu, të gjithë shqiptarët e shumtë që jetojnë, kontribuojnë, kanë punuar dhe punojnë në Itali, më në fund do të mund të ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe ta falënderojnë këtë qeveri sepse kjo qeveri më në fund do ta çojë deri në fund këtë nismë shumë të rëndësishme”.

Rama e Tajani bashkëdrejtuan takimin e Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali dhe siguruan se mes dy vendeve ka shumë fusha ku mund të ketë bashkëpunim dhe shkëmbim tregtar.

“Kemi shumë sektorë ku jemi të gatshëm të përforcojnë praninë tonë dhe të përforcojmë investimet tona duke u përfshirë në sektorin bujqësor ku sa i përket vajit dhe vullnetit për të vazhduar për të blerë produkte, vajin shqiptar. Në sektorin e peshkimit mund të punojmë edhe më shumë me investime të tjera”.

Në bashkëbisedim ata pohuan se është folur dhe për çështjen e emigracionit të paligjshëm dhe vendimet që bashkërenduara që janë marrë nga dy qeveritë. Kryediplomati italian siguroi dhe njëherë se Italia vijon të lobojë fort në Bruksel për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që ai shpreson të ndodh brenda 2030.