Rama i kerkon italianeve te njohin patentat shqiptare: Kanë ngecur në burokracinë italiane.

1719
0

Kreu i qeverise Edi Rama, ndodhet për një vizitë në Bari të Italisë, ku zhvilloi dhe një konferencë të përbashkët me Ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio dhe Presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kryeministri Rama i vendosi theksin marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve, si dhe shprehu falenderimin e tij për Italinë, që 30 vite më parë mirëpriti mijëra shqiptarë.

Ndër të tjera Rama tha se janë gjysmë milion shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Itali. Ai shtoi se në të gjithë territorin italian, janë 50 mijë sipërmarrje të krijuara nga shqiptarë, si dhe mijëra të rinj që studiojnë në universitetet përtej Adriatikut. Po ashtu, ai i kërkoi ministrit Luigi njohjen e patentave shqiptare, duke shtuar se ato kanë ngecur në korridoret e burokracisë italiane.

“Më falni nëse ndihem i prekur nga kjo pritje që ndoshta do meritoja si italiani më i gjatë mes shqiptarëve, por sidoqoftë ndihem i lumtur dhe i nderuar të jem mes dy shqiptarëve më të mirë mes italianëve. Janë për shqiptarë jo vetëm kur dielli dhe deti janë ftues, por kur janë ato momente të vështira që tregojnë miqësinë e vërtetë.

Ndërsa zbrisja nga avioni duke parë gjithë këtë pritje më vinte në mend një këngë italiane që nëse nuk gaboj thotë ‘kalojnë vitet mes furtunave’…Janë 30 vite që kur shqiptarët hipën në varka për të ardhur në këtë anë të deti. Në këto 30 vite kanë ndodhur shumë gjëra. Jam i sigurt që kjo periudhë e historisë sonë nuk do të harrohet kurrë nga gjeneratat e ardhshme.

Në këtë moment doja të thosha vetëm faleminderit për atë që italianë në përgjithësi dhe puljezët në veçanti kanë bërë, njerëzit e thjeshtë duke hapur portat për njerëz të panjohur, të ndryshëm, që dhe mund të trembnin. Urrejtja nuk fitoi, por fitoi shpirti i bujarisë, shpirti i solidaritetit të popullit italian dhe institucioneve italiane. Ato institucione që gjithë këto vite kanë qenë gjithmonë pranë Shqipërisë dhe pavarësisht ngjyrës së atyre që kanë qeverisur, nga pikëpamja politike.

Ngjyra e bashkëpunimit në këto 30 vite ka qenë e dashurisë dhe miqësisë. Pa u bërë patetik do doja të thosha faleminderit për atë që Luigi personalisht ka bërë dhe Mikele personalisht ka bërë kur 15 muaj më parë Shqipëria ishte viktimë e një tërmeti të tmerrshëm dhe Italia ishte aty si në territorin tonë si atë europian për të nderuar të gjitha fjalët e bukura të thëna këto 30 vite që Shqipëria është pjesë e Europës.

Nuk do mund të them asnjëherë mjaftueshëm për këta dy persona dhe të them se si ata janë impenjuar, duke u bërë me të vërtetë avokati më i madh i popullit shqiptar në një moment të errët, por jo vetëm atëherë, gjatë gjithë udhëtimit. Ai ka qenë vërtetë një mik me 5 yje.

Uroj që ne mund të jemi në lartësinë e kësaj miqësie. Uroj që të mos keni nevojë kurrë për ne, por nëse do të keni ne do të jemi aty. Të nderuar që jemi në krahun tuaj. Janë gjysmë milioni shqiptarë që sot jo vetëm jetojnë, punojnë por edhe kontribuojnë në ekonominë italiane. Janë rreth 50 mijë sipërmarrjet e krijuara nga shqiptarë dhe janë mijëra të rinj që studiojnë në universitetet italiane.

Duke qenë se italishtja është si gjuhë e dytë e jona, janë gjithmonë përpara studentëve të tjerë të huaj.
E gjithë kjo është bërë e mundur falë asaj që thashë, disponueshmërisë që i ka rrënjët në historinë dhe shpirtin italian.
Meqë këtu janë të gjithë gazetarët dhe jam bombarduar prej javësh dhe ambasadori do të më falë për këtë thyerje le të themi të protokollit, dua të përdor këtë çast për t’i kërkuar Luigit të merret me patentat e shqiptarëve në Itali sepse kanë ngecur në korridoret unikë të burokracisë italiane dhe duhet të nxirren që të drejtojnë normalisht, sepse si napolitanët dhe ne shqiptarët jemi të kujdesshëm të ngasim pa patenta”
, u shpreh Rama.

Ndërkohë ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, rikujtoi eksodin e viteve ’91, ku mijëra shqiptarë vërshuan drejt Italisë. Ai tha se Italia për shqiptarët e asaj kohe do të thoshte liri dhe shprese për një jetë më të mirë.