Rama fton sipërmarrësit italianë: 10 vjet pa asnjë taksë

419
0

Në një nga forumet e panairit ‘Fiera del Levante’ që po mbahet në Bari të Italisë, kreu i qeverisë, Edi Rama ftoi sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri, teksa vuri në dukje lehtësirat që sipas tij ofron sistemi fiskal shqiptar për investitorët e huaj.

“Shqipëria është sot hapësira ku sipërmarrësit italianë mund të investojnë pa u trembur nga taksat dhe burokracia. Gjithë ato që ëndërronin të kishin kur dëgjonin Kryeministrin tim të dashur Berluskoni, e kanë tashmë një Shqipëri: një vend pothuajse pa taksa”.

Një sektor në të cilin Rama ftoi investitorët të vijnë në Shqipëri është turizmi ku sipas tij janë ndërmarrë lehtësira të rëndësishme fiskale.

“Kushdo që investon në Shqipëri sot në turizëm me 5 yje mund të kryejë një aktivitet për 10 vjet pa asnjë taksë dhe TVSH në 6%. Nga pikëpamja e taksave ne jemi një vend normal, por krahasuar me Italinë ne jemi një parajsë tokësore”.

Ndërkohë mediat italiane raportuan pak ditë më parë se gjatë vizitës në Bari, Kryeministri shqiptar do të takohet edhe me përfaqësues të aeroportit të Puljas që kanë shprehur interes konkret për të marrë me koncesion për 35 vjet aeroportin e Vlorës.