Lulzim Basha reagon pas vendimit për ish ministrin Tahirin

436
0

Kreu i PD-së ka reaguar, pas vendimit Gjykatës për Saimir Tahirin. Sipas Lulzim Bashës, vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin.

Gjykata për Krime të Rënda shpall fajtor ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri të vënë në hetim nga prokuroria në nëntor të vitit 2017 dhe vendos ta dënojë me 5 vite burg vetëm për “shpërdorim detyre”.

Me gjykim të shkurtuar ky dënim arrin në 3.4 vite burgim, por në konvertim sipas Gjykatës kthehet në shërbim prove 3 vite. Pas këtij vendimi të shkallës së parë nuk ndryshon gjendja e masës së vendosur nga kjo gjykatë, pra Tahiri do të gjykohet në gjendje të lirë derisa vendimi të jetë i formës së prerë.

Postimi i plotë
Vendimi i turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës, që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe e shndërroi atë në njollën e zezë të krimit në Europë, provon se drejtësia në Shqipëri është peng i Edi Ramës, dhe Edi Rama është peng i krimit.

Vendimi i sotëm konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin, duke nisur me dosjen e kokainës së Xibrakës, ku është i përfshirë vëllai i Edi Ramës.

Përsa kohë Edi Rama është në krye të qeverisë, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi, krimi dhe të pushtetshmit do të jenë të paprekshëm, Shqipëria do të mbetet peng i krimit dhe shqiptarët më të varfër e më të papunë. Vetëm çlirimi i qeverisjes nga krimi do ti hapë rrugë drejtësisë së vërtetë dhe mirëqenies për të gjithë shqiptarët.