Shkollat drejt mbylljes? Rama zbulon kush i merr vendimet per mbylljen

1070
0

Vendimi për mbylljen apo hapjen e shkollave i takon autoriteteve shëndetësore. Është kjo përgjigjja që kryeminsitri Edi Rama u ka dhënë zërave për mbylljen e shkollave për shkak të situatës së pandemisë në vend. Në një komunikim me mediat, kreu i qeverisë tha se shkollat nuk konsiderohen vatër e nxehtë, por një hapësirë që ka potencial rreziku.

“Ka zëra të përsëritur për mbylljen e shkollave. Dua të theksoj se çfarë hapet e mbyllet është përgjegjësi e autoriteteve tona të autorizuara, që kanë ekspertizën dhe detyrimin ligjor, që të marrin vendime në këtë kohë të vështirë. Sipas të gjitha të dhënave dhe orientimet e autoriteteve shkencore mjekësore, në të gjitha vendet, që ndjekim me vëmendje, shkollat nuk konsiderohen vatër e nxehtë, por një hapësirë që ka potencial rreziku.

E rëndësishme është që masat të respektohen rigorozisht në çdo shkollë, siç po ndodh. Personeli drejtues e pedagogjik të jetë këmbëngulës në zbatimin e tyre, dhe nga ana tjetër – ajo që unë kam dëgjuar nga ekspertët tanë – domosdoshmëria për të mbajtur një ekuilibër mes këtij aspekti të mbrojtjes së drejtpërdrejtë e psikologjike të fëmijëve”.

Kreu i qeverisë u bëri apel qytetarëve që të ndërgjegjësohen në mënyrë që të shmanget mbingarkesa në spitale dhe një mbyllje që do të kishte pasoja të rënda në të gjitha spektet.

“Do të kërkoja ndihmën tuaj që të jemi sa më të vetëdijshëm, sepse sicili ka në dorë që së bashku të shmangim qoftë kalimin e spitaleve në një mbingarkesë, që do ta bënte praktikisht tejet të vështirë trajtimin normal të të gjithë atyre që janë në nevojë, dhe qoftë mbylljen e përgjithshme. Është e domosdoshme që secili prej nesh, çdo qytetar, të vetëdijësohet se ka një rol për të luajtur në këto dy drejtime për të mbrojtur shëndetin e vet, të familjes dhe të afërmve.

Kështu jep një kontribut të jashtëzakonshëm për të ndihmuar luftën e përditshme e përnatshme në vijën e zjarrit, ku trajtohen pacientët e prekur me covid dhe që kanë simptoma të rënda, si dhe për të shmangur një mbyllje që do të kishte pasoje të padëshirueshme edhe në aspektin e  ekonomisë së çdo familje dhe familjes sonë të përbashkët”.