Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme ka emëruar Enkelejda Muçajn zëvendësministre të Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo ka qenë deri në qershor të këtij viti në postin e Avokates së Shtetit, teksa ka mbrojtur shtetin në gjyqin kundër biznesmenit italian Francesco Becchetti në Arbitrazh që Shqipëria e humbi.
Muçaj ka qenë gjithashtu Këshilltare Ligjore e Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë. Ajo gjithashtu u ka ofruar ekspertizë autoriteteve të qeverisë shqiptare në lidhje me harmonizimin e legjislacionit kombëtar me ligjin ndërkombëtar të pronësisë intelektuale. Tashmë do të jetë zv/ ministre në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
VENDIMI I PLOTE
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Enkelejda Muçaj emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.