Qytetari humb durimin, zbret nga ambulanca dhe futet vete brenda spitalit “Shefqet Ndroqi”, infermierët e nxjerrin jashte

425
0

Makinat e ambulancave të parkuara nga hyrja e pasme. Pacientë që presin të lirohet një shtrat. Shqetesim i qytetarëve që kërkojnë përkujdesje për familjarët e tyre.

Kjo është panorama që ofron prej disa ditësh spitali “Shefqet Ndroqi”. Pacientët që dërgohen pranë këtij ambienti spitalor trajtohen fillimisht në autoambulanca për disa orë, e më pas akomodohen në dhomat e shtrimit.

Por, ndonjëherë, durimi ka një kufi. Një pacient i moshuar, teksa ishte në ambulancë, vendosi të heqë tubin e oksigjenimit dhe të hyjë vetë në spitalin Covid 2. Si duket, nuk gjeti një shtrat të lirë dhe pas disa minutash personeli mjekësor e pozicionoi sërish në autoambulancë.

Familjarët e pacientëve të rinj thonë se qëndrimi disa orësh në ambulancë është tashmë normal, pasi mjekët u thonë se nuk ka shtretër. Por, të njëjtën gjë nuk e thonë drejtuesit e QSUT.

Teksa pacientët presin në ambulance për t’u trajtuar, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka vizituar ambientet e spitalit Covid 4. E sigurt se hapja e tij mund të shtyhet edhe për disa ditë, ministrja tha se në tri spitalet Covid nuk janë ezauruar shtretërit ende. 

Shifrat rekord të të infektuarve kanë detyruar Komitetin e Ekspertëve që të shtrëngojë kufizimet për aktivitetet e ndryshme, ndërsa në pritje mbetet vendimi për një mbyllje apo jo më të hershme se ora 22:00.