Qeveria miraton kodin e ri, të gjithë do të shpërbleheni deri në 5 mijë euro

756
0

Me siguri të gjithëve ju ka ndodhur të prisni vonesat e avionëve me minuta ose në raste të tjera edhe me orë të tëra.

Në këto raste politikat që ndjekin në Shqipëri janë të veçanta për kompensimin e pasagjerëve.

Por së fundmi këto politika do të ndryshojnë sipas Kodit të Ri Ajror dhe ky kompensim mund të arrijë deri në 5 mijë euro për pasagjer.

Qeveria ka miratuar këtë kod i cili bën përgjegjës transportuesin për dëmtimet e shkaktuara nga vonesat në transportin ajror të pasagjerëve.

Por ka një përjashtim nga kompensimi, pasi transportuesi nuk paguan për dëmet që shkaktohen nga vonesa, në rast se punonjësit dhe agjentët e tij marrin gjithë masat e mundshme për të shmangur dëmtimin, por megjithatë nuk ia kanë dalë ta shmangin.

Ndërsa në rast dëmi, të shkaktuar nga vonesa në transportimin e një personi, përgjegjësia e transportuesit për çdo pasagjer kufizohet deri në 4 150 SDR që llogaritet pak më shumë se 5000 euro (SDR është monedha e FMN e rënë dakord për t’u përdorur në Konventën e Montrealit), shkruan Monitor. Ky kufizim nuk respektohet në rast se provohet që dëmtimi shkaktohet nga neglizhenca e transportuesit, punonjësit ose agjentëve të tij, e bërë me qëllim për të shkaktuar dëm” thuhet në nenin 143.

Sa i përket bagazheve ka një nen të veçantë që përcaktons e si bëhet kompensimi në rast se ato dëmtohen. Kjo shumë mund të arrijë deri në 1200 euro.

Detajet përcaktohen në këto 7 pika të nenit:

“Transportuesi është përgjegjës për dëmet e shkaktuara në rast shkatërrimi, humbjeje ose dëmtimi të bagazheve të dorëzuara (checked baggage), kur këto veprime ndodhin në bordin e avionit apo gjatë periudhës në të cilën bagazhi i dorëzuar është në përgjegjësinë e transportuesit. Transportuesi nuk është përgjegjës kur dëmtimi rrjedh nga një defekt i trashëguar, cilësi ose cen i bagazhit.

2. Transportuesi është përgjegjës për dëmin e shkaktuar, në rast vonese të bagazhit të dorëzuar, përveçse kur vërteton se ai, punonjësit dhe agjentët e tij morën të gjitha masat e mundshme për të shmangur dëmtimin ose kur marrja e masave të tilla ishte e pamundur.

3.Në rast humbjeje, shkatërrimi ose dëmtimi të bagazhit të dorës (hand baggage), përfshirë edhe sendet vetjake, transportuesi është përgjegjës nëse vërtetohet që ai, punonjësit dhe agjentët janë fajtorë për veprimet e kryera. Në rast vonese të bagazhit të dorës zbatohet, sipas rastit, pika 2 e këtij neni.

4. Në rastet e pikave 1, 2 dhe 3, të këtij neni, përgjegjësia e transportuesit për shkatërrimin, humbjen, dëmtimin ose vonesën kufizohet në 1 000 (një mijë) SDR për çdo pasagjer. Ky kufizim nuk respektohet nëse, në kohën kur bagazhi i dorëzuar është marrë nga transportuesi, pasagjeri bën një deklaratë të veçantë interesi për dorëzimin në destinacion dhe, sipas rastit, paguan një shumë shtesë. Në këtë rast, transportuesi paguan shumën e deklaruar, përveç rastit kur ai provon se shuma e deklaruar është më e madhe se interesi aktual i pasagjerit në dorëzimin në destinacion.

5. Pika 4 e këtij neni nuk respektohet në rast se dëmtimet janë të qëllimshme ose shkaktohen nga neglizhenca e transportuesit, punonjësve ose agjentëve të tij.

6. Në rast dëmtimi, pritësi i bagazheve ankohet tek transportuesi në çastin e zbulimit të dëmtimit, por jo më vonë se 7 (shtatë) ditë nga data e marrjes, në rastin e bagazhit të dorëzuar. Në rast dëmtimi, për arsye vonese, ankimi bëhet jo më vonë se 21 (njëzet e një) ditë nga data kur ai ka marrë bagazhin në dorëzim. Ankesa bëhet me shkrim. Nëse ankesa nuk bëhet brenda afateve, transportuesi nuk mban përgjegjësi. Nëse pasagjeri e pranon bagazhin e dorëzuar pa ndonjë rezervë, prezumohet se bagazhi është marrë pa dëmtime.

7. Në rast se bagazhi i dorëzuar ka humbur, kërkesa, sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet vetëm nëse transportuesi pranon humbjen ose me kalimin e periudhës 21 (njëzet e një)-ditore nga data kur bagazhi duhej të kishte arritur” thuhet në nenin 144 të Kodit Ajror të miratuar në mbledhjen e qeverisë.”