Qeveria belge propozon 4 ditë pune në javë, redukton stresin e punonjësve dhe rrit efikasitetin gjatë punës

276
0

Belgjika është një nga vendet e para në botë që pritet të miratojë reformën me vetëm 4 ditë pune në javë.

Propozimi i paraqitur nga partitë liberale parashikon që numri javor i orëve të mos ndryshojë, por të ulet vetëm numri i ditëve të punës. Konkretisht, propozimi kërkon që orët javore të punës, të cilat janë 38 ose 40 orë në varësi të sektorit, të shpërndahen në 4 ditë. 

Propozimi i liberalëve gjeti mbështetjen e shumë partive politike belge ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë tha se ky ndryshim pritet të rrisë më shumë efikasitetin gjatë punës dhe të reduktojë stresin e punonjësve.

Ministri i punës Pierre-Yves Dermagne  e konsideron javën e punës katër-ditore një “çështje themelore” pasi pandemia COVID-19 solli ndryshime të mëdha në ambientin e punës për shumë persona.

Sipas ekspertëve ndryshimi pritet të përmirësojë ekuilibrin mes punës dhe jetës private si dhe t’u japë kohë njerëzve për tu fokusuar edhe në gjëra të tjera të rëndësishme në jetën e tyre. Megjithatë sindikatat socialiste e kundërshtuan propozimin. Ata argumentojnë se duhet të shkurtohen, jo vetëm ditët e punës, por edhe orët e punës të punonjësve.