“Vetëm në Shqipëri ndodh që qen të konsideruar të rrezikshëm lejohen jo vetëm të qarkullojnë pa asnjë maskë mbrojtëse, por edhe të luajnë në të njëjtin park me fëmijët siç ndodh aktualisht”.
Bëhet fjalë për qentë të racës Pit Bull. Në Maj të këtij viti, një 58-vjeçar nga Elbasani humbi jetën nga sulmi i tyre. Por pre e kësaj race janë kryesisht fëmijët.
“Kjo është shumë e rrezikshme, sepse si në çdo vend të botës duhet të ketë parqe të veçanta për qentë zona të rrethuara, sado i mësuar të jetë qeni, sado i urtë të jetë qeni është problem në momentin që ato shohin fëmijë duke vrapuar, pasi normalisht qeni mësohet me llojin e ecjes së të zotit, që është adult. Dhe kur sheh një fëmijë të vogël duke vrapuar, vrapi dhe ecja ndryshon nga i rrituri, ndryshon i fëmijëve ndryshon i njerëzve me probleme ne ecje që kanë thyer këmbën etj, qeni nuk e llogarit më për njeri, por e llogarit si pre ndaj ka instiktin që të shkojë ta sulmojë. Shumë e rrezikshme të mbahen qen të lëshuar në parqe me shumë njerëz sado të mësuar të jenë”, thotë mjeku veteriner, Martin Llazani.
Një 2-vjeçare shqiptare me banim në Itali mbeti viktimë e një sulmi nga një Pit Bull në Shtator të 2017.
“Pit bulli ka një rrezikshmëri më të lartë për të vetmen arsye se ka një kafshim shumë të fortë”, thotë Llazani më tej.
Ndërsa mjeku i shërbimit Infektiv në QSUT, Gent Stroni zbulon se “kemi një mesatare tek 3-4, maksimumi 5 raste në ditë që janë kafshime specifike nga qentë, në pjesën më të madhe janë Pit Bull-ët ose qen të racave të veçanta.
Për mjekët veterinerë janë pronarët, ato që i bëjnë agresiv kafshët e tyre.
“Momentin që ato trajtohen siç duhet, prezantohen me njerëzit, prezantohet me kafshët e tjera, pastaj në momentin që një Pit Bull, një qen goxha i fortë mbyllet në shtëpi, vetëm nuk prezantohet, lidhet diku pa patur asnjë kontakt me jashtë, normalisht ai do të bëhet shume i rrezikshëm”.
Pit Bulli u përdor fillimisht në Amerikë, si një qen dyluftimesh, por kur u kuptua rrezikshmëria e tij, vende si Gjermania, Italia, Danimarka, Britania, Franca apo Italia e kanë ndaluar mbajtjen e disa llojeve të tij. Në Spanjë, mbajtësi i kësaj race duhet të faktojë se nuk ka rekorde kriminale, ka shëndet të mirë mendor dhe duhet të lerë një garanci bankare prej 120 mijë eurosh, të cilat do të përdoren për të shpërblyer personat që mund të sulmohen nga Pit Bulli.
Në Shqipëri nuk ka masë për t’u ruajtur prej tyre.
“Pjesa më e madhe e Pit Bull-eve janë miks dhe mbi të gjitha problemi në Shqipëri është se nuk kemi një lidhje ligjore mes qenit dhe pronarit që ka blerë atë qen, siç janë në çdo vend që ka një database ku mikroçipi i qenit lidhet me pronarin”.
Jo vetëm që nuk regjistrohen, por as nuk kontrollohen prej askujt. Bazuar në ligjin e vitit 2011, është Ministria e Bujqësisë ajo që nëpërmjet shërbimit veterinar regjistron të gjitha kafshët, ndërsa një VKM e viti 2013, bën përgjegjës pushtetin vendor, për kontrollin e këtyre dhe ndalimin për të mos lëvizur pa maska në ambiente të hapura.
Institucionet ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit. Dhe derisa ligji të saktësojë përgjegjësitë, apo derisa të bëhen ndryshimet e nevojshme për të ndaluar qarkullimin e këtyre kafshëve të rrezikshme, qytetarët duhet të vetëmbrohen. Në Qershor të vitit 2017, një qytetar e qëlloi me breshëri kallashnikovi një Pit Bull, në zonën e Xhamllikut në Tiranë, për shkak se i kishte sulmuar bashkëshorten.
Tv Klan